Gjergj Vyshka 20.12.2016 15:25
Kombëtarja shqiptare e volejbollit për femra do të marrë pjesë në një turne miqësor që do të mbahet në Luksemburg, nga data 29 dhjetor 2016, deri më 2 janar 2017, dhe ku do të ketë përballë përfaqësuesen vendëse, Lihtenshtejnin dhe Norvegjinë. Dhe sipas trajnerit të kombëtares shqiptare në volejboll për femra, Altin Martiro, qëllimi është përgatitja e një kombëtareje të denjë për të marrë pjesë majin e ardhshëm në Ligën e Evropës.
“Po të shikosh listën, – thotë Martiro për “Sport Ekspres”, – ka lojtare të reja, sepse në maj ne do të marrim pjesë në Ligën e Evropës. Ky është një test miqësor që na vlen, ndërsa gjatë gjithë këtyre stërvitjeve që do të bëjmë këtu do të mendojmë për një 6-she ideale për turneun e Luksemburgut, si dhe për të hedhur piketat për një skuadër të denjë në Ligën e Evropës”. Martiro është i vetëdijshëm se ka pasur vështirësi në mosardhjen e lojtareve, kjo kryesisht për shkak të ngarkesës në klubet e tyre.
Por, në njëfarë mënyre, edhe sepse turneu është në ditët e Vitit të Ri, atëherë kur dhe të gjithë festojnë me familjet e tyre. “Ne i kemi thirrur të gjithë, – ka pohuar trajneri kuqezi. – Nuk mund të them që nuk është dashamirësia e klubeve për të mos lejuar lojtaret e veta për këtë turne. Por Sava Thaka në Poloni, Ariola Prenga në Turqi dhe Sindi Marina në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë veprimtari me skuadrat e tyre pikërisht më 30 dhjetor, 31 dhjetor, 1 janar e 2 janar.”
“Po kështu dhe disa lojtare të tjera, – ka vijuar ai. – E, megjithatë, ne do të mundohemi të jemi dinjitoz në këtë turne miqësor”. Ndërkohë i pari i ekipit përfaqësues të volejbollit të femrave tregon se gjendja është e mirë. “Nuk ka pak që kanë përfunduar veprimtaritë kombëtar dhe, si të thuash, të gjithë janë në gjendje. Skuadra do të qëndrojë e grumbulluar deri ditën e nisjes, që është më 28 dhjetor e nuk besoj se është një kohë e gjatë grumbullimi.”
Sa për kundërshtarët, Martiro llogarit vetëm Norvegjinë si të fortë në këtë turne. “E në këto kushte ne do të kërkojmë ta fitojmë këtë trofe”, – ka thënë ai. I ftohti i acartë i Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”? Kjo ishte pyetja e “Sport Ekspresit” për trajnerin Martiro. E përgjigja e tij: “Jemi të detyruar të bëjmë stërvitje, sepse këto janë kushtet”. Kësisoj kombëtarja e femrave, e rikthyer pas gjashtë muajsh, do të jetë në turne miqësor në Luksemburg, nga data 28 dhjetor 2016 e deri më 2 janar 2017.
Lista e lojtareve të ekipit kombëtar femra të grumbulluara për turneun miqësor të fundvitit në Luksemburg:
Selentana Nanaj (Itali), Ergysa Blloku (Partizani), Enxhi Gongu (Partizani), Esmeralda Tuci (Partizani), Maria Sade (Greqi), Xhenifer Pirra (Partizani), Joana Kushi (Tirana), Sara Hasku (Barleti Volej), Kejsi Matraku (Partizani), Fatbardha Picaku (Barleti Volej), Rigelta Hysaj (Itali), Enada Yzeiraj (Itali), Dajana Karamuça (Greqi), Erblina Bici (Itali), Amela Qershia (Vllaznia)
Trajnerë: Altin Martiro, Roland Tarja