AlbanianSport.com 07/06/2018 14:45
ASNN – Trajnerin e Kombëtares së femrave e shqetëson dëmtimi i Bicit, por mbetet optimist. Shqipëria e volejbollit të femra ka arritur një kualifikim historik, duke siguruar vendin në fazën finale të Ligës së Argjendtë të Evropës dhe trajneri Altin Martiri nuk e ka fshehur kënaqësinë. Megjithatë, ai mbetet optimist se Shqipëria nuk do të kthehet duarbosh nga Suedia.
Në fazën finale, që do të zhvillohet në Nykëping më 16 dhe 17 qershor 2018, Shqipëria do të përballet në gjysmëfinale me Suedinë vendase, kur në gjysmëfinalen tjetër, Austria do të ndeshet me Estoninë. Pas ndeshjes së 6-të dhe të fundit të grupit B të Ligës së Evropës, Altin Martiri, trajneri i Shqipërisë në volejboll për femra, ka pasur një fytyrë të qeshur.
Tashmë është faza finale e Ligës së Evropës, së cilës i pari i stolit kuqezi kërkon t’i shkojë deri në fund. “Ne patëm luksin që të provonim dhe lojtaret e tjera përballë Gjeorgjisë dhe unë jam i kënaqur për atë që ato bënë, – ka deklaruar ai. – Sigurisht që ishim më të qetë për shkak të kualifikimit për në fazë finale të Ligës së Evropës, së cilës kërkojmë t’i shkojmë deri në fund.”
Por trajneri kuqezi përballet me një shqetësim përpara këtyre finaleve. “Problemi është se kemi një dëmtim të Bicit, që shpresoj të kalojë shpejt, – thotë ai. – I kemi parë kundërshtarët e mundshëm dhe unë shpresoj që t’i arrijmë. Më pas do të nisim të mendojmë për Lojërat Mesdhetare dhe kualifikueset e Kampionatit Evropian”.