Gjergj Vyshka 01.06.2016 07:55
Kombëtarja e volejbollit të femrave, e drejtuar nga Altin Martiro dhe Roland Tarja, sot do të marrë udhën drejt Polonisë, atje ku nga data 3, deri më 5 qershor 2016, do të jetë stacioni i parë i Ligës së Evropës.
Siç dihet, vajzat kuqezi do të jenë përballë Polonisë, Bjellorusisë dhe Sllovakisë, ndërsa itinerari i fluturimit të kësaj kombëtareje do të jetë nga Tirana, me një ndalesë në Beograd e pastaj në Varshavë.
Delegacioni i Shqipërisë në volejboll për femra do të udhëhiqet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, ndërsa ndeshjet do të luhen Tvardogora.
Ndeshja e parë e skuadrës kuqezi do të jetë të premten, në ora 17:00 ndaj Polonisë. Më pas, do të luhet të shtunën, në ora 15:30, ndaj Sllovakisë dhe të dielën, po në ora 15:30, ndaj Bjellorusisë.
Shpresohet në një paraqitje dinjitoze të kësaj kombëtareje në etapën e parë të Ligës së Evropës, ndërsa e dyta, si të thuash, ajo e kthimit, do të jetë në Durrës, nga data 17, deri më 19 qershor 2016.