Gjergj Vyshka 14.04.2016 12:35
Kampionet në fuqi të volejbollit të femrave në vend janë rikthyer tek fitorja, ndërsa ndaj Teutës në gjysmëfinalen e parë për titull kampion kanë provuar dhe rezervat. Ka munguar lojtarja e lirë Fagu, e cila ka pasur probleme shëndetësore, por dhe Shabaku, ndërsa pjesa tjetër është aktivizuar e gjitha nga trajneri Gurabardhi. Seti i parë është gjithnjë nën udhëheqjen e vajzave të trajnerit Gurabardhi, 5-1, 8-3, 13-5, 16-9 dhe në fund 25-16.
E njëjta situatë edhe në të dytin 8-4, 12-7, 16-10, 19-12, 20-15 dhe 25-17. I treti, ndoshta me mendjen e fjetur se ndeshja u fitua, i ka vetëkënaqur lojtaret e Barletit Volej. Teuta luan mirë e për rrjedhojë është në epërsi 3-7. Por shpejt kampionet përmbysin dhe kthejnë në 8-7. Epërsi që mbahet deri në fund të setit 10-7, 13-9, 16-10 dhe në fund 25-15 dhe krejt ndeshja 3-0. Pikëshënueset më të mira të ndeshjes janë Braho e Barleti Volejit dhe Rexhepi e Guza të Teutës me 9 pikë.
Në bllok ka dalë fituese Disha e Teutës me dy mure fituese, kurse në shërbim Braho e Barletit Volej me 6 të sakta, Xhelilaj e Barleti Volejit me 5 të sakta, Nurja e Teutës me katër të sakta dhe Thaka e Barleti Volejit me tre të sakta. Në tre sete në total Barleti Volej shënoji 75 pikë prej të cilave 58 vetë, kurse 17 pikë kanë ardhur nga gabimet e durrsakeve. Në krahun tjetër Teuta në tre sete ka realizuar 48 pikë prej të cilave 35 pikë vetë, kurse 13 pikë kanë ardhur nga gabimet e kampioneve, që kështu e kanë pasur të sigurt hapin e parë drejt finales për titull “kampion”.
Barleti Volej – Teuta 3-0 (1-0)
(25-16, 25-17, 25-15)
Barleti Volej: Xhixha, Xheka, Tuci, Thaka, Braho, Bici, Zenurllari (L) / Brati, Hasku, Xhelili, Picaku, Celej. Trajner: H. Gurabardhi
Teuta: Nurja, Begiçi, Dervishi (L), Avdyli, Rexhepi, Guza, Disha / Hoxha, Çuka. Trajner: E. Jazenxhiu
Gjyqtarë: R. Kuka, G. Sakaj (Vlorë)
Ndihmës: L. Nurçe, E. Kurti (Tiranë)