AlbanianSport.com 30.07.2015 14:20
ASNN – Teuta në volejbollin e femrave vijon përgatitjet për sezonin e ri. Ekipi durrsak do ta fillojë kampionatin e ri me disa ndryshime në përbërje, organizim, por edhe në objektivat që synon të arrijë. Trajneri Edmond Jazenxhiu ka rrëfyer për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, se nga ekipi që ai drejton do të largohen lojtare të rëndësishme, për pasojë do t’i jepet më shumë rëndësi promovimit të vajzave më të reja, që do t’i shërbejnë së ardhmes.
Ai shtoi se aktualisht po stërvit vajza më të reja, të cilat, sipas tij, pak nga pak dëshiron t’i bëjë pjesë të ekipit të parë. “Jam i kënaqur, pasi shoh që ka elemente shumë premtuese, të cilat besoj do të bëjnë mirë me skuadrën e parë, por, nga ana tjetër, do të formojnë bazën e ekipit për vitet e ardhshme, – ka thënë ai për të përditshmen në fjalë. – Në ekip kemi edhe lojtare me eksperiencë, si Begiçi, Gashi, Zakova etj., të cilat, me përvojën e tyre, do t’ua bëjnë më të lehtë punën vajzave më të reja.”
“Duke parë këtë situatë, nuk dua të nxitohem në shpalljen e objektivave që ne do të synojmë të arrijmë sezonin e ri, edhe pse përpjekjet tona do të jenë maksimale për një vend në katërshen e parë, – ka vijuar trajneri durrsak. – Ndoshta në fazën e dytë mund të ndryshojë situata me afrimin e ndonjë lojtareje cilësore dhe me përvojë. Hëpërhë, duam që të integrojmë sa më mirë lojën e vajzave me përvojë që kemi në dispozicion me lojën e vajzave të reja, të gjitha nga Durrësi.”