Gjergj Vyshka 18.06.2016 13:45
3-2 ndaj Polonisë, të besuarat e Altin Martiros bëjnë mrekullinë në “Ramazan Njala”, ndërsa hapin një shteg për krijimin e një përfaqësueseje fituese jo vetëm në Ligën e Evropës, por dhe më tej. Me pak fjale, historike! Kombëtarja e volejbollit të femrave të Shqipërisë është kthyer tek fitorja përballë publikut të vet. Mungonte që prej 26 vjetësh një sukses i tillë që në kohën e kombëtares së të rriturave, apo dhe të rejave në Kampionatet Ballkanike organizuar në Shqipëri.
Apo që në kohën e Dinamos së Kreshnik Tartarit. Dhe tashmë gjithçka është besuar dhe kthyer nga puna e Martiros dhe Tares, por dhe e vajzave duke nisur që nga Amarilda e Arjola Prenga, tek Erblina Bici, Klonarda Nezaj, “amerikania” Sindi Marina, Esmeralda Tuci, Sava Thaka, Xhozafa Sejfullai, Eni Fagu, Sava Thaka, Romina Matoshi.
Të gjitha sot janë heroina për atë fitore të bujshme të bërë në një ndeshje titanësh me Poloninë, që as më pak e as më shumë edhe duke shkuar në setin final i ka kaluar limitet e dy orë e gjysëm. Por asnjëherë tonat nuk janë tutur, ndërsa fitorja, në një ambient të zjarrtë për volejbollin, nga jashtë i tillë edhe për Kampionatin Evropian të futbollit, ka qenë më shumë se sa e merituar.