Gjergj Vyshka 12.03.2016 17:05
Hasan Gurabardhi, trajneri i Barleti Volejit, menjëherë pas përfundimit të gjysmëfinales së parë me Vllazninë, fituar nga skuadra e tij pastër 3-0, në prononcimet e tij për mediet ka vlerësuar Tiranën si një finaliste të denjë për këtë Kupë të Shqipërisë. E ka bërë këtë përpara se të luhej gjysmëfinalja e dytë, sepse e di nivelin e volejbollit të femrave në Shqipëri dhe e kishte të qartë se kë do të kishte përballë në finale.
Ndaj dhe ka thënë: “Jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në këtë gjysmëfinale. Megjithëse impenjimi dhe mobilizimi i skuadrës sime nuk ka qenë në nivelet që prisja unë. Vlerësoj Tiranën si një finaliste të denjë dhe që ka në gjirin e vet katër lojtare, të cilat janë dhe të kombëtares shqiptare. Është fjala për Nezajn, Tucin, Shkurti dhe Sejfullain, që kanë qenë edhe pjesë e Barleti Volejit.”
“Duhet të them se ndryshe nga kampionati i meshkujve, atje ku janë pesë skuadra të një niveli në luftën për trofetë kombëtar, tek ne janë vetëm dy. Ndaj Barleti Volej dhe Tirana vijojnë të luftojnë për çdo trofe kombëtar. Pres një finale të fortë dhe të denjë për volejbollin shqiptar”, – ka përfunduar trajneri i kampionëve në fuqi, por edhe fituesve në fuqi të Kupës së Shqipërisë.