Gjergj Vyshka 12.03.2016 17:35
Trajneri i Barletit Volejit, Hasan Gurabardhi, duket se ka qenë i pakënaqur për lojën e skuadrës së tij. Jo vetëm për setin e dytë të humbur këtë sezon, por dhe për pikët e falura tek Tirana, apo dhe për mënyrën se është luajtur keq sa herë që sulmi i skuadrës së tij binte në bllokun e Nezajt.
“Unë jam i pakënaqur, sepse kishim mundësi për më shumë, – ka thënë trajneri i fitueseve të sapokonfirmuara sërish të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra. – Nuk është ndër ndeshjet tona më të mira. Kemi mundësi për më shumë dhe do të jemi ndryshe. Sigurisht që vazhdimësia e trofeve na gëzon.”
“Por duhet të jetë një Barlet Volej absolut që të përballojë denjësisht Tiranën, kundërshtari i vetëm që ne kemi në kampionat. Megjithatë ndodh dhe kështu. Fitorja ndonjëherë nuk gjykohet, por unë kërkoj tjetër cilësi nga skuadra”, – ka përfunduar trajneri i Barleti Volejit, Hasan Gurabardhi.