Gjergj Vyshka 29.04.2016 19:55
Trajneri i Barletit Volejit, Hasan Gurabardhi, i mësuar me trofe jo vetëm me këtë skuadër, por kudo ku ka qenë si drejtues skuadre, ka qenë me këmbë në tokë menjëherë pas titullit “kampion”. Ai ka pranuar se nuk ka qenë një përballje e lehtë me Tiranën. “Ju e ndoqët vetë ndeshjen, – ka thënë ish-trajneri i Kombëtares kuqezi të femrave. – Tirana rezistoi deri në fund.”
“Unë e kam thënë që në fillim të sezonit se Tirana është një skuadër e mirë, – ka vijuar ai. – Rivaliteti me Tiranën i shtoi bukurinë këtyre finaleve. Volejbollistet e Tiranës i kanë dhënë tonin kampionatit shqiptar prej gati 10 viteve. Ndaj dhe e bënë edhe më të bukur këtë finale. Unë them që i arritëm objektivat të gjitha këtë sezon. Normalisht jam i gëzuar, jam i lumtur, pasi ekipi im është relativisht me moshë mesatare të re. Janë vajza të reja dhe me perspektivë.”
“Tani duhet të pushojmë, të qetësohemi, të shohim se çfarë do të bëjmë në kampionatin e ardhshëm”, – ka pohuar Gurabardhi, i cili tashmë pret presidentin Gafurr Dudaj për të biseduar dhe për të vendosur për të ardhmen e tij nëse do të jetë në krye të Barletit Volej, apo jo. “Përderisa kam fituar kampionatin, duhet të vazhdoj, por se çfarë do të bëjë presidenti Dudaj nuk e di”, thotë duke përfunduar Gurabardhi, i cili i ka dhënë kështu Barletit Volej titullin e 3-të radhazi.