AlbanianSport.com 08/02/2019 13:50
ASNN – Gurabardhi i entuziazmuar nga ardhja e Arden Fisherit: Tani nis kampionati i vërtetë. Trajneri i skuadrës së Barlerit në volejboll për femra, Hasan Gurabardhi, mendon se ardhja e volejbollistes amerikane Fisher ka rritur pretendimet e skuadrës së tij në pjesën e dytë të sezonit dhe beson se Barleti do të jetë më i organizuar e më frytdhënës në këtë fazë, duke parashikuar një garë shumë të fortë midis skuadrave pretendente. Madje Gurabardhi thotë se tani nis kampionati i vërtetë.
Në një intervistë të dhënë për të përditshmen sportive “Panorama Sport”, trajneri i Barletit thotë se ecuria stërvitore ka qenë mjaft e mirë dhe ekipi po reflekton në drejtimin e duhur, ndërsa ka komentuar më tej edhe përplasjet me rivalitet ndaj Tiranës dhe Partizanit, por sidomos Mirditës që është shfaqur një skuadër pretendente. “Skuadra është përgatitur shumë dhe fatmirësisht nuk kemi pasur asnjë dëmtim, ndonëse kemi zhvilluar stërvitje të fortë fizike për 3 javë”, – thotë trajneri Hasan Gurabardhi.
“Të gjitha lojtaret gëzojnë formë optimale, ndërsa në Durrës të mërkurën bëmë dhe një ndeshje miqësore e cila na la të kënaqur sa i takon paraqitjes së skuadrës në fushë, – ka vijuar ai. – Duhet të punojmë më shumë për të rritur skuadrën nga ana taktike, sepse tani nis beteja dhe kampionati i vërtetë. Mirdita është një nga ekipet pretendente kryesore për të fituar titullin, pa diskutim, por janë dhe Partizani e Tirana. Mirdita është skuadër që është forcuar shumë në merkaton e janarit, ku ka afruar dy lojtare të huaja.”
“Pritet një lojë e fortë dhe ne si Barleti do të luftojmë fort në çdo takim për të fituar, ndonëse është një takim me shumë rivalitet dhe një përballje ku nuk ka favoritë”, – theksoi më tej Gurabardhi. Në lidhje me ardhjen e volejbollistes amerikane Arden Fisher, trajneri i barleti Volej tha se ky është një përforcim mjaft cilësor dhe duket entuziast në lidhje me parametrat sportive të volejbollistes së ardhur vetëm pak ditë më parë në gjirin e të Barletit.
“Jam shumë i kënaqur prej saj, – vijoi rrëfimin e tij Gurabardhi, – jo vetëm unë por i gjithë ekipi. Ka ardhur këtu që prej një jave dhe është një lojtare me parametra cilësorë, e cila aktivizohet si lojtare pritëse e topit të parë. kuptohet, janë vetëm ditët e para të saj këtu dhe i duhet ende kohë të përshtatet me ndryshimin e orarit apo me rrugën e gjatë që ka bërë. Është lojtare në moshën e duhur, vetëm 23 vjeç, por besoj se çdo ditë e më shumë do të vijë duke u përmirësuar.”