Gjergj Vyshka 30.09.2015 07:00
Barleti Volej, kampionia e Shqipërisë në volejboll për femra, ka dhënë një tjetër spektakël në Stamboll, atje ku është duke vijuar me pjesëmarrjen në turneun e saj të parë miqësor në Turqi.
E duhet thënë e theksuar, edhe pse është dy herë kampione e Shqipërisë radhazi, apo dhe fituese e Kupës së Shqipërisë disa vite më parë, kjo dalje në tokën turke shënon dhe veprimtarinë e parë ndërkombëtare në të gjithë historinë e krijimit të skuadrës së volejbollit të Universitetit “Marin Barleti”.
Pas fitores së thellë 3-0 me Maltepenë, dje Barleti Volej është vënë përballë Jeshilurtit. Një skuadër që, të paktën edhe sipas lidhjes telefonike me trajnerin e Barletit Volej, Hasan Gurabardhi, në brendësinë e saj ka tre lojtare të huaja.
E jo vetëm kaq, por është ndër skuadrat e nivelit të lartë të volejbollit turk, ndërsa kombëtarja e Turqisë vijon me sukses paraqitjen e saj në Kampionatin Evropian të volejbollit të femrave në Belgjikë e Holandë.
Për trajnerin Hasan Gurabardhi, që është njëkohësisht dhe trajneri i kombëtares së volejbollit të femrave, kjo mund të konsiderohet si ndeshja më e mirë e viteve të fundit jashtë Shqipërisë. “Në këtë ndeshje janë dalluar Bici, Xhixha dhe Thaka, ndërsa e gjithë skuadra është paraqitur në mënyrë dinjitoze”, – ka përfunduar Gurabardhi, kurse duhet falënderuar dhe sponsori Rogert Huqi, që bëri të mundur zhvillimin e këtij turneu turk për Barletin Volejin.