Gjergj Vyshka 11.04.2016 16:15
Federata Shqiptare e Volejbollit, të paktën edhe sipas asaj që ka njoftuar trajnerit të Barleti Volejit, Hasan Gurabardhi, ka konfirmuar dje se kjo skuadër është në vendin e parë në renditje. I gjithë diskutimi ka ardhur nga fakti se me Tiranën ndeshjet direkte ishin të barabarta (3-1 ka fituar Barleti Volej dhe 3-1 Tirana).
Po kështu edhe setavarazhi ishte i barabartë, 40-1. Atëherë janë llogaritur pikët e vogla, më saktë pikët e seteve të fituara dhe të humbura. E për rrjedhojë, pavarsisht asaj që është thënë të shtunën, Barleti Volej është në vendin e parë. Kështu ka konfirmuar Gurabardhi në telefon.
Sepse po dje pasdite, për një gjë të tillë, ai është marrë në telefon nga FSHV-ja, e cila, nga ana tjetër, siç ka ndodhur rëndom kohët e fundit, nuk e ka parë as të udhës e as të nevojshme të njoftojë edhe mediat. Për rrjedhojë çiftet e gjysmëfinaleve të “play-off”-it final, më 13, 16 dhe 19 prill do të jenë Barleti Volej-Teuta dhe Tirana-Skënderbeu.
Por, “një herë kështu e një herë ashtu”, nuk është aspak serioze nga ana e organizmit që qeveris rrjetën shqiptare, aq më tepër që mund të krijojnë keqkuptime deri në tendencë nga ata që janë dëmtuar në këtë mes. Por ndodh në sportin shqiptar në përgjithësi dhe nuk është hera e parë…