Gjergj Vyshka 09.01.2016 17:40
Pas një pjesë të parë të sezonit me shumë probleme për Flamurtarin në volejboll për femra, kjo edhe për shkak të largimeve të shumta nga skuadra, vlonjatët duket se kanë nisur të mendojnë ndryshe në këtë fazë të merkatos. Qëllimi është përforcimi i skuadrës dhe evitimi i rënies nga kategoria. Emri i parë i afruar është rikthimi tek Flamurtari i lushnjares Armela Gjermeni, një nga lojtaret kyç të sezonit të kaluar, ndërsa arriti ta mbante skuadrën në grupin e më të mirave të volejbollit shqiptar të femrave.
Bëhet fjalë për një lojtare me shumë vlera për skuadrën e drejtuar nga trajneri Todi Driza, që natyrisht e ka pritur me shumë dëshirë një rikthim të tillë. Gjermeni është një lojtare që luan si shutere dhe me mjaft përvojë në volejbollin e femrave. Ndërhyrja e sponsorit të skuadrës, F. Lamaj, gjatë kësaj periudhe të merkatos së dimrit ka dhënë frytet e para tek Flamurtari, ndërsa veç Gjermenit, priten edhe afrime te tjera në skuadrën vlonjate.
Objektivi tashmë dihet, qëndrim në grupin A1. Nga burime të klubit konfirmohet se shumë shpejt pritet edhe një afrim tjetër dhe bëhet fjalë për një lojtare të aktivizuar në pjesën e parë të sezonit tek skuadra e Barleti Volej, por emri mbetet për t’u zyrtarizuar. E rëndësishme është që, pas një pjesë të parë të sezonit me problem për shkak të largimeve, tek Flamurtari gjërat kanë nisur të ndryshojnë dhe duket se skuadra vlonjate do të bëjë ç’është e mundur për të qëndruar në kategorinë e më të mirëve. Skuadra ka nisur të ndryshojë me afrimet e kryera dhe në fazën e dytë pritet një Flamurtar ndryshe.