Gjergj Vyshka 30.09.2015 10:40
Pas fitores së thellë 3-0 me Maltepenë, dje Barleti Volej është vënë përballë Jeshilurtit. Një skuadër që, të paktën edhe sipas lidhjes telefonike me trajnerin e Barletit Volej, Hasan Gurabardhi, në brendësinë e saj ka tre lojtare të huaja. Dhe falë këtij niveli të lartë, apo dhe lojtareve të huaja, Jeshilurti ka fituar dy setet e para 21-25 dhe 24-26. Që do të thotë se ka hasur vështirësi përballë kampiones shqiptare, e cila është treguar e denjë në këto sete, edhe sepse në gjirin e saj vazhdon të ketë ajkën e volejbollit shqiptar. Thënë ndryshe ekipin kombëtar.
Gurabardhi e ka shkundur menjëherë skuadrën. “Arsenali” i rëndë që ka në skuadrën e tij duke nisur nga kapitenia Braho për të vijuar më pas tek Bici, Xhixha, Thaka, Marvina Tuci etj bëjnë të sajën. Atëherë kur është menduar se po shkohet drejt një humbjeje 0-3 vjen kthesa e madhe e kampiones sonë. Është barazuar rezultati në 24-24 në setin e tretë dhe në përfundim tonat kanë shënuar dhe dy pikë të tjera e kanë fituar këtë set 26-24. Seti i katërt më pas është një melodi më vete për Barleti Volejin, sepse skuadra është e çliruar dhe arrin të dalë në lojën e saj më të mirë.
Duke qenë në epërsi të vazhdueshme arrin ta mbyllë këtë set 25-17 dhe gjithçka barazohet në 2-2. E për të shpallur fituesen e kësaj miqësoreje, tepër emocionuese dhe e një niveli shumë të mirë, duhet seti i pestë. Një finale e ekuilibruar, e cila është zgjidhur në pikët e fundit dhe në fund 15-12 për Barleti Volejin e 3-2. E kësisoj kjo është fitorja e dytë për Barletin Volejin, që sot e mbyll turneun turk me përballjen e luksit ndaj Beshiktashit.