Gjergj Vyshka 16.10.2016 08:20
Barleti Volej ka zhvlerësuar dhe Tiranën, ndërsa kështu, javë pas jave, po i kalon të gjitha të ashtuquajtura rivale për titull si “birrila”. Jo thjesht për fitoren e thellë 3-0, por për diferencat në përfundimet e seteve, gjë që demonstron nivelin e lartë që ka skuadra e Hasan Gurabardhi përballë këtyre kundërshtarëve.
Pa Bicin dhe Thakën, por me Picakun e Haskun, apo dhe Begon e Brahon e nën organizimin e Xhekës, si dhe lojtaren e lirë Fagu, Barleti Volej vazhdon të sillet si kampione në parket. Tirana, vetëm me Shkurtin, Sallakun, Sejfullain e Xhixhën, ndërsa dje është kërkuar dhe përvoja e Kokonozit në organizimin, e ka pasur të vështirë të përballet me Barletin.
Madje nëse do të krahasohen të gjitha ndeshjet e bardhebluve të kësaj periudhe, e djeshmja përballë kampioneve në fuqi ka më e dobta. Sepse përtej talentit, as Agolli, as Kushi s’mund të bënin diferencën me Barletin Volej. Ndërkohë, të shtunën janë luajtur edhe 3 takimet e tjera të javës së 3-të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, që njihet si grupi A1.
Teuta ka fituar në 3 sete në fushën e saj, duke mposhtur Vllazninë në parketin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit dhe duke u ngjitur në vendin e dytë të renditjes, me 8 pikë, një më pak se Barleti Volej kryesues, ndërsa Partizani ka fituar me rezultatin 3-1 në Lushnjë ndaj ekipit vendas dhe tanimë mban vendin e tretë, me 6 pikë. Ndërkohë, Elbasani është mundur në shtëpi nga Skënderbeu me shifrat 1-3.
Kampionatit Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 3-të
(15 tetor 2016)
Të shtunën:
Lushnja – Partizani 1-3
Barleti Volej – Tirana 3-0
Elbasani – Skënderbeu 1-3
Teuta – Vllaznia 3-0
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Barleti Volej 3 3 0 9-0 9
- Teuta 3 3 0 9-2 8
- Partizani 3 2 1 6-4 6
- Vllaznia 3 2 1 6-6 5
- Tirana 3 1 2 5-6 4
- Skënderbeu 3 1 2 5-7 4
- Lushnja 3 0 3 2-9 0
- Elbasani 3 0 3 1-9 0