AlbanianSport.com 07/03/2019 17:30
ASNN – Ajo është një krenari e sportit shqiptar dhe ambasadorja më e mirë e sportit shqiptar në botë. Bëhet fjalë për Erblira Bicin, e cila është volejbolliste elitare dhe pjesë e një prej kampionateve më të forta të volejbollit në botë. Ajo ia ka dalë me sukses, falë punës dhe talentit të saj, të shkëlqejë në Serinë A1 të volejbollit të femrave në Itali, duke luajtur me yjet e volejbollit italian dhe atij botëror.
Ky sukses i madh dhe i pashoq, vjen nga një volejbolliste e dalë nga Shqipëria dhe që ka luajtur në kampionatin shqiptar, çka tregon se Shqipëria ka talente të mëdha në volejboll, të afta të luajnë me më të mirat e globit. E gjendur në radhët e Igor Novara Volejit, Bici po shkruan histori në karrierën e saj.
Në një intervistë të dhënë për gazetën “SOT”, që AlbanianSport.com do t’jua sjellë në 3 pjesë dhe sot është pjesa e parë volejbollistja brilante e Shqipërisë rrëfen punën dhe përkushtimin me skuadrën e saj, arritjet, emocionet, spektaklin, por njëherësh jep mendimet e saj për zhvillimet në volejbollin shqiptar apo dhe apelimin që vajzat me talent në këtë sport ta provojnë veten në kampionate të forta jashtë vendit.
– Çfarë e bën të veçantë kampionatin elitar të volejbollit italian nga ai shqiptar përveç cilësisë së garës dhe sportisteve? Përtej modestisë, çfarë note (vlerësimi) do t’i vinit vetes në radhët e Igor Novara Volejit?
– Pa dashur të ul volejbollin shqiptar, kampionati italian, sidomos Seria A1, është ndër kampionatet më të fortë në botë, pa lënë pa përmendur dhe kampionatin turk, i cili ka gjithashtu cilësi të lartë. Mendoj se çdo gjë është profesioniste, nga mënyra se si është organizuar kampionati, ndeshjet, marketingu, bashkëjetesa me sportin etj. Nxitja që u bëhet të gjitha grupmoshave që të merren me sport është diçka fantastike. Nuk është rastësi pra, që italianët dhe volejbolli i tyre janë në këtë nivel. Sa më takon mua në radhët e këtij kampionati dhe skuadrës së Igor Novara Volejit, pa dashur realisht ta mbivlerësoj veten time, do t’i vendosja notën 7 dhe kjo për dy arsye kryesore: E para, sepse jam akoma në fillimet e mia në A1 dhe kam akoma punë për të bërë dhe, së dyti, fakti tjetër është se unë e shoh çdo ditë se çfarë pune bëj dhe çfarë duhet bërë për të ecur para.
– Në çfarë shkalle mund ta konsideroni veten të përshtatur me volejbollin atje dhe me nivelin e më të mirave? A është e lehtë për një volejbolliste që i ka marrë bazat e volejbollit në Shqipëri të kalojë në një nga klubet më të forta të Evropës dhe të botës?
– Ndihem plotësisht komode dhe nuk e kisha menduar kurrë se do isha këtu. Në fillim, kur menaxheri me tha se po bisedonte me Novarën, isha me të vërtetë e shokuar. E prisja një kalim në A1 por jo në një ndër ekipet më të forta. Mund të them se në çdo ekip ka lojtare që janë titullare në kombëtaret e tyre dhe padyshim janë niveli më i lartë. E shikoj si një sfidë për t’u rritur. Në ekip kam një nga diagonalistet më të mira në botë, Paola Egonu. Pavarësisht se është vetëm 20 vjeç, ajo është një “fuoriclasse”, siç i thonë italianët. Nuk është aspak e lehtë për ata që vijnë për herë të parë të kapin këto nivele. Para dy vitesh kur erdha këtu në Itali, më është dashur të punoj akoma më shumë. Ndjej se mund të rritem akoma, kam gjëra për të mësuar dhe jam gjithmonë e hapur ta bëj diçka të tillë.
– Para pak ditësh ju fituat Kupën e Italisë, çfarë keni kuptuar dhe ndjerë nga ky sukses i madh i karrierës tuaj?
– Jam jo vetëm e lumtur, por më duket akoma si një ëndërr. Vitin e kaluar isha finaliste në Kupën e Italisë për Serinë A2. Pavarësisht pikëve të mia, nuk ja dolëm ta fitonim. Fakti që ekipi im i vjetshëm humbi përsëri në finale, një humbje e papritur, do të thoja unë, krijoi pak luhatje para ndeshjes, shumë mendime të vijnë në ato momente. Ne ndesheshim përsëri kundër ekipit që na mori Superkupën. Kur fituam, ishte me të vërtetë një lehtësim.
– Sportistët në nivele të tilla krijojnë famë, le të themi kështu, si e menaxhoni ju famën tuaj, në sensin e raporteve me publikun, median, rrjetet sociale etj?
– Unë jam munduar gjithmonë të jem sa më e hapur dhe e afërt si me tifozët e ekipit dhe ato personalë. I falënderoj për mbështetjen, të gjithë. Kuptohet që çdo sportist ka nevojë për ato njerëzit mbrapa që bëjnë gjithçka më të bukur. Menaxhimi? Nuk menaxhoj asgjë, unë jam thjesht Era.
Vijon nesër…
Kush është Erblira Bici?
Datëlindja: 27.06.1995
Vendlindja: Gramsh
Shtatlartësia: 186 cm
Kombëtarja: Shqiptare
Ekipi aktual: Igor Novara Volej (Itali)
Numri i fanellës: 13
Karriera sportive:
2013-2016 – Fituese e të gjitha kupave dhe kampionatit me ekipin e Barleti Volejit
2015 – Sportistja e vitit në volejboll nga KOKSH-i
2017 – Volejbollistja më e mirë e vitit 2017
2018 – Volejbollistja më e mirë e vitit 2018
2018 – Lojtarja e Vitit në provincën e Piemontes
2018 – Finaliste e Kupës së Italisë në Serinë A2
2018 – Fituesja e “New Entry” tek “Albanian Sports Ambassador”
2019 – Fituese e Kupës së Italisë në Serinë A1