Gjergj Vyshka 29.11.2014 08:40
Dy skuadrat më cilësore të volejbollit të femrave sot në finalen e Kupës së Flamurit. As Teuta e as Partizani, dy skuadra që luajtën me hope, nuk i bënë dot ballë kundërshtareve.
Barleti Volej dhe Tirana, dy ekipet më cilësore dhe më të forta të volejbollit të femrave për sezonin sportiv 2014-2015, do të jenë përballë në një tjetër duel trofesh. Këtë herë do të luftojnë përballë njëra-tjetrës në finalen e Kupës së Flamurit, e cila do të luhet sot në ora 16:00.
Duke llogaritur fitoren në gjysmëfinalen e Kupës së Federatës nga skuadra e Gurabardhit, 3-0, apo dhe në kampionat, 3-1, peshorja është në anën e kampionëve në fuqi.
Megjithatë jo vetëm për lojtaret që ka në dispozicion, por dhe për shkak të përvojës dhe sigurisë që jep Amarilda Prenga, skuadra e Gorenxës nuk është për t’u nënvlerësuar. Që do të thotë se pritet të jetë një finale interesante.
Kupa e Flamurit
Volejboll – Femra
Gjysmëfinalet:
28 nëntor 2014:
Barleti Volej – Teuta 3-0
Tirana – Partizani 3-0
Finalja
29 nëntor 2014:
Barleti Volej-Tirana (ora 16:00)