Gjergj Vyshka 29.04.2016 15:20
Edhe Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Femra ka luajtur të enjten në mbrëmje ndeshjen e tretë të finales së “play-off”-it për titullin “kampion” dhe, “kampionia” në fuqi, Barleti Volej, e drejtuar nga trajneri Hasan Gurabardhi, nuk ka gabuar dhe pasi i kishte fituar dy takimet e para, ka vijuar të fitojë edhe ndeshjet e tretë me rezultatin 3-0 dhe duke u shpallur “kampione” e Shqipërisë.
Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes ishte Erblina Bici e Barleti Volejit me 14 pikë e ndjekur nga Enkelejda Braho e Barleti Volejit me 11 pikë, kurse për Tiranën, shënuesja më e mirë ishte Klonarda Nezaj, me 7 pikë. Në bllok ka dalë fituese Malvina Tuci e Barletit Volejit, me 3 mure rezultative e ndjekur nga Nezaj dhe Hoxha e Tiranës me dy mure fituese.
Në shërbim ka triumfuar Braho e Barletit Voleji me 5 shërbime të sakta e ndjekur nga Bici e Xhixha të Barletit Voleji me 4 shërbime të sakta, si dhe Kleda Paloka (Shkurti) e Tiranës me dy. Në total, në 3 sete Barleti Voleji ka realizuar 76 pikë prej të cilave 61 pikë vetë, kurse 15 pikë kanë ardhur nga gabimet e Tiranës. Kurse Tirana në total në tre sete ka shënuar 61 pikë prej të cilave 40 pikë vetë.
Kurse 21 pikë kanë ardhur nga gabimet e Barletit Voleji, që i bie mesatarisht shtatë pikë për set. E në këto kushte ka përfunduar finalja e volejbollit të femrave, ndërsa tashmë e ka radhën pjesëmarrja e kombëtares për të rritur e të rritura në veprimtarinë kontinentale, Ligën e Evropës.
Barleti Volej – Tirana 3-0 (3-0)
(25-15, 26-24, 25-22)
Barleti Volej: Bici, Fagu (L), Xheka, Braho, Hasku, Xhixha, M. Tuci / Zeqirllari, Thaka, Xhelilaj. Trajner: H. Gurabardhi
Tirana: Paloka (Shkurti), Blloku, E. Tuci, Nezaj, Hoxha, Lasku (Kadriu), Sejfullai (L) / E. Meta, R. Meta, Pirra. Trajner: A. Gorenxa
Gjyqtarë: I. Fështi, T. Zguri (Tiranë)
Ndihmës: Ç. Kojku, L. Nurçe (Tiranë), T. Kacadei, G. Zuna (Durrës)