Gjergj Vyshka 16.02.2017 10:25
Kryesfida e volejbollit të femrave në javën e 9-të të grupit A të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra do të jetë Barleti Volej-Partizani.
Për efekt të kërkesës së Barleti Volejit, kjo me anë të trajnerit Hasan Gurabardhi, për ta luajtur në sallën kryesore këtë ndeshje e jo vetëm kaq, por dhe për ta transmetuar në Televizionin Shqiptar, atëherë ndeshja do të luhet të shtunën në ora 18:00.
Që do të thotë se Federata Shqiptare e Volejbollit e ka pranuar kërkesën e Barletit Volej, që ka gjetur dhe miratimin e Partizanit.
E kjo sfidë në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, nën vëzhgimin e kamerave të RTSH-së, do të jetë dhe një nxehje për të dy skuadrat, të cilat rreth dy javë më vonë, në të njëjtën fushë, në të njëjtin orar, do të jenë përballë njëra-tjetrës për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Ndaj duket se çifti Barleti Volej-Partizani do të jetë më shumë se kryesfidë e javës së kampionatit të femrave.