Gjergj Vyshka 19.02.2017 13:45
Barleti Volej, kampionia në fuqi e rrjetës shqiptare, por njëkohësisht dhe fituesja e Kupës së Shqipërisë, ia ka marrë dorën Partizanit. Edhe atëherë kur kjo skuadër është në ditë të vështirë, aq sa trajneri Gurabardhi ka qenë krejtësisht i pakënaqur në fund të ndeshjes, sepse sipas tij ka pasur probleme në organizim, ia del të fitojë dhe kryesimi i saj në kampionat nuk cenohet. Sigurisht që ka një kapitene si Braho, e cila i bën të gjitha e jo vetëm kaq, por është shtysë dhe për pjesën tjetër të skuadrës.
Tek Partizani, braziliania Ortega mundohet ta fusë në “shina” skuadrën e trajnerit Tarja, por ende nuk po gjen pikat e duhura të pasimit që më pas kjo lojë të konvertohet në pikë dhe fitore për të kuqet. Dhe dje, edhe për shkak të kësaj mënyre loje, Barleti Volej ka qenë fitues duke marrë fitoren e 9-të radhazi në kampionat. Në fakt takimi, që ishte lënë për t’u luajtur në sallën kryesore, teksa ishte në transmetimin e rrjetit të Radiotelevizionit Shqiptar, pikërisht në kanalin dedikuar sportit, është vënë në diskutim.
Sepse gjyqtari ndërkombëtar Igli Fështi, së bashku me vëzhguesin e ndeshjes Refet Kasmi, kanë vënë re që rrjeta nuk ka qenë në nivelin e duhur. Madje një krah i saj, pikërisht në anën e kullës së gjyqtari kryesor, vinte më poshtë dhe si e tillë duke qenë e konsumuar dhe jo në një nivel, apo në lartësi që duhej, e vinte në pikëpyetje ndeshjen. Zgjidhja ishte salla Nr. 2, por me gjetjen e gjuhës së përbashkët me dy trajnerët, Gurabardhi dhe Tarja, edhe për efekt të transmetimit ndeshja është luajtur dhe kështu.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 9-të
(18-19 shkurt 2017)
Të shtunën:
Teuta – Skënderbeu 3-0
Elbasani – Tirana 0-3
Barleti Volej – Partizani 3-1
Të dielën:
Lushnja – Vllaznia ora 13:00
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Barleti Volej 9 9 0 27-4 26
- Teuta 9 7 2 24-9 21
- Partizani 9 6 3 21-12 19
- Tirana 9 5 4 19-13 16
- Vllaznia 8 5 3 16-14 13
- Lushnja 8 2 6 9-20 5
- Skënderbeu 9 1 8 7-25 5
- Elbasani 9 0 9 1-27 0