Gjergj Vyshka 26.09.2015 20:35
Me ardhjen e sponsorit të rinj tek Barleti Volej janë afruar pesë lojtare të reja, katër nga Partizani i Roland Tares dhe një nga Tirana e Adrian Gorenxës. Që do të thotë se për sezonin e ri 2015-2016 kanë pranuar ta veshin fanellën e Barleti Volej, Marvina Tuci, Iva Xhixha, Sava Thaka, Çezarina Xheka dhe lojtarja e lirë, Zeqirllari.
Por në të njëjtën kohë, edhe pse sipas trajnerit Gurabardhi presidenti Gafurr Duda i ka pritur për më shumë se sa një muaj, janë larguar Esmeralda Tuci, Klonarda Nezaj, por dhe Harxhi. “Që të marrim pjesë në Kupën e Kampioneve duhet të kemi pikët e domosdoshme si volejboll shqiptar, gjë që aktualisht na mungon”, – ka thënë Huqi.
“Atëherë e vetmja mundësi është pjesëmarrja në Ligën Ballkanike dhe vajtja deri në gjysmëfinalen e kësaj veprimtarie.” Sakaq shtyrja e kampionatit më 24 tetor i ka prishur të gjitha planet trajnerit Gurabardhi. “Sigurisht që na ka prishur planet, sepse tanimë duhet të kishim përfunduar Kupën e Federatës dhe të kishim nisur kampionatin”, – ka pohuar ai.
“Megjithatë edhe më 24 tetor përsëri do të jemi gati, ndërsa si rivale për titull shoh Tiranën, Partizanin, Vllazninë e Teutën”, – ka përfunduar trajneri Hasan Gurabardhi, kurse Barleti Volej është gati për të marrë pjesë në turneun turk të fundmuajit, nga data 28, deri më 30 shtator 2015.