Gjergj Vyshka 25.09.2014 08:45
“Barleti Volej”, (ky është emri i ri i kampiones në fuqi të volejbollit të femrave, ish-UMB Volejit), është fituese e Kupës së Federatës, por e vërteta është se nuk ka shkëlqyer në lojën e saj. Rrjedhimisht trajneri i kësaj skuadre, Hasan Gurabardhi, i nxehur jo vetëm nga loja e skuadrës së tij, por dhe nga një vendim i dyshimtë i gjyqtarëve në setin e parë, ka ikur pa festuar me skuadrën. Si rrallëherë, ndërsa që nga fundi i setit të parë e deri në pikën e fundit të lojës, Gurabardhi jo vetëm që nuk ka komunikuar me skuadrën, teksa ka qëndruar ulur, por gjithçka në udhëzimet e pushimeve e ka bërë ndihmësja e tij Edlira Huqi.
E vërteta është se Barleti Volej vazhdon të bëjë të njëjtën gjë si në sezonin e kaluar, atje ku kujtohet të luajë vetëm pasi ta ketë bërë gjithçka keq. Pra elementët që janë të gjithë në këtë skuadër, e cila është konsideruar si “ajka” e volejbollit të femrave dhe për rrjedhojë dhe e kombëtares, luajnë me hope. Nënvlerësim i kundërshtari në çdo skaj, ndërsa duket se fitoret e kanë velur këtë skuadër, sepse nuk bën më përshtypje kur humbet një top i vetëm. Dhe shifrat flasin vetë, sepse Teuta në tre sete kishte shënuar në total 58 pikë, prej të cilave 39 janë shënuar nga durrsaket dhe 19 janë nga gabimet e Barletit Volej.
Ndërkohë që në krahun tjetër, Barleti Volej nga 75 pikë në tre sete, 63 i kishte shënuar dhe 12 ka marrë nga gabimet e durrsakeve. Pra në të tilla kushte kur kërkohet jo vetëm vijueshmëri normale në lojë, por dhe një spektakël nga lojtaret e kësaj skuadre, të cilat nuk duhet të vazhdojnë ta vënë në dyshim fitoren e tyre, Gurabardhi ka të drejtë të jetë i pakënaqur. Në fund, kupën kapitenes Enkelejda Brahos, si dhe Teutës diplomën e vendit të dytë, e ka dorëzuar anëtari i Komitetit Drejtues, Erlind Pëllumbi