Gjergj Vyshka 06.02.2015 09:45
Në finalen e trofeut të dytë më të rëndësishëm, bardheblutë janë mundur pastër 0-3. Trajneri Gurabardhi: “Tanimë e ka radhën titulli kampion që të jetë i yni siç ishte vjet”. Barleti Volej ka vërtetuar dhe dje që është një skuadër e pandalshme dhe nuk ka kundërshtar.
Sepse, pasi ka bërë të vetin gjatë këtij sezoni Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe Kupën e 70-vjetorit të Çlirimit, është bërë dje “pronare” e Kupës së Shqipërisë. E ka fituar për herë të katërt, ndërsa këtë e ka për të dytin vit radhazi. Madje duke mundur të njëjtën kundërshtar, Tiranën, po me të njëjtin rezultat, 3-0.
Që do të thotë se jo vetëm bardheblutë, por kushdo në kampionatin e volejbollit të femrave në Shqipëri e paska të pamundur ta hudhë në parket Barletin Volej. Madje edhe atëherë kur duket se seti është në favor të kundërshtarit, vajzat e Gurabardhit, jo vetëm me përvojën e të krijuarit të të luajtur grup prej disa vitesh, por dhe falë forcën ia dalin ta përmbysin situatën në disfavorin e tyre.
Shembulli më konkret është seti i tretë i djeshëm. Tirana është munduar, ndërsa malazezja Vujadinoviç, por dhe Thaka janë munduar që ta mbajnë këtë skuadër në lojë. Por ndoshta lodhja e një ditë më parë, apo dhe mungesa e freskisë fizike ka bërë që momente të caktuar ndeshja të dukej sikur të mos ishte një finale për Kupën e Shqipërisë.
Barleti Volej – Tirana 3-0
(25-19, 25-22, 25-21)
Barleti Volej: Braho, Nezaj, Harxhi, Bici, Tuci, A. Gjermeni, Fagu (L) / J. Gjermeni. Trajner: H. Gurabardhi
Tirana: Vujadinoviç, Thaka, Pira, Matoshi, Vokrri, Prenga, Meta (L) / Blloku, Hoxha. Trajner: A. Gorenxa
Gjyqtarë: Ko. Gjoka, A. Telo (Tiranë)
Asistente: T. Kacadei. G. Zuna (Durrës)