Gjergj Vyshka 13.08.2015 15:20
Peticioni i volejbollisteve: “Kjo na bllokon të kalojmë nga një klub në tjetrin, sepse klubet nuk kanë aq shumë fonde sa të bëjnë një pagesë të tillë. Të rishikohet vendimi.” Në Asamblenë e fundit të Federatës Shqiptare të Volejbollit është miratuar një klauzolë që ndikon direkt në kalimin e lojtarëve nga një ekip te tjetri. Kanë qenë shumë trajnerë të ekipeve të “vogla”, që kanë ngritur zërin dhe kanë kërkuar që skuadrat e “mëdha” dhe që kanë mundësi financiare të mos i marrin lojtarët pa paguar.
Për këtë arsye është miratuar që transferimi i lojtarëve të volejbollit nga një skuadër në tjetrën të bëhet më pagesë. Kjo tarifë kushton 2 milionë lekë (të vjetra). Një shumë disi e lartë për volejbollin shqiptar dhe që përfshin lojtarët e moshës 18-30 vjeç. Kurse lojtarët mbi këtë moshë transferohen falas dhe ata të moshës nga 14-18 vjeç me një pagesë prej 1 milionë lekësh (të vjetra), ndërkohë që tarifa e licensës është një shumë më vete (taksë transferimi).
Kjo situatë ka irrituar disi volejbollistet, të cilat po planifikojnë të kundërshtojnë këtë tarifë duke përgatitur një peticion drejtuar Federatës së Volejbollit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. “Ne jemi një grup vajzash sportiste, volejbolliste të ekipeve më të mira në Shqipëri dhe të Kombëtares shqiptare, – thuhet në deklaratën e lëshuar nga një grup volejbollistesh. – Ju vemë në dijeni se FSHV-ja ka miratuar një rregullore, që penalizon të gjithë lojtarët.”
“Kjo rregullore shkel të drejtat e volejbollistëve në kohë kur të gjitha federatat e shteteve të botës dhe organizatat ndërkombëtare të volejbollit (FIVB dhe CEV) favorizojnë dhe në qendër të vëmendjes kanë liritë dhe të drejtat themelore të sportistit, – vijon më tej deklarata në fjalë. – Kjo rregullore kërkon që transferimi i një lojtari midis ekipeve të kryhet me anën e një pagese prej 2 milionë lekësh (të vjetra) si dhe të paguhet taksa prej 200 mijë lekësh (të vjetra) për licencën.”
Më poshtë, në këtë deklaratë thuhet: “Kjo vlerë është shumë e madhe, sa 10-fishi i rrogës minimale në Shqipëri, në një kohë që një pjesë e lojtareve paguhen me shuma qesharake, që nuk e marrin gjithë vitin këtë vlerë monetare. Miratimi i kësaj rregullore u krye në fshehtësi të plotë dhe lojtarët nuk kishin asnjë palë përfaqësuese për të mbrojtur interesat e tyre. Ne jemi në fazën që ka filluar federimi (i cili përfundon si proces në datën 1 shtator 2015) pranë ekipeve ku do të luajmë.”
“Por për momentin jemi të bllokuara nga rregullorja e re, sepse ekipet nuk kanë fonde. Ne kërkojmë anulimin e kësaj rregulloreje”, – përfundon peticioni drejtuar Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ndërkohë, për ta zhbllokuar këtë ngërç, pritet që kryesia e Federatës Shqiptare të Volejboll ta anulojë këtë vendim të mëhershëm të Asamblesë së saj.