Gjergj Vyshka 12.02.2016 14:35
Edhe ndërkombëtari tjetër Erjon Mujo, i cili ka fituar në KAS një gjyq me Federatën Shqiptare të Volejbollit për pezullimin tremujor dhe pagesat e munguara, së bashku me Endri Zgurin dhe Altin Telos, është kundër kësaj kontrate. Dhe këtë gjë ia ka argumentuar presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, nëpërmjet një e-maili.
Ja dhe teksti i plotë i saj: “Më vjen keq që shqetësimi im arriti deri tek ju personalisht, pasi besoj se me vullnetin e mirë mund të ishte zgjidhur në instancat që ndodhen poshtë jush në hierarkinë e FSHV-së. Besoj se në këtë sezon sportiv gjyqtarët dhe FSHV-ja kanë pasur një marrëdhënie mëse korrekte në lidhje me mbarëvajtjen e ndeshjeve. Mesa jam në dijeni gjyqtarët i janë përgjigjur FSHV-së në detyrat që ajo ka caktuar dhe gjithashtu dhe FSHV ka qenë mëse korrekte me pagesat e gjytarëve, madje duke tejkaluar veten dhe duke bërë të mundur dhe pagesa të prapambetura (dhe pse në kundërshtim me atë që pretendojnë gjyqtarët për sa i përket vlerës së borxhit). Më duhet t’iu falënderoj personalisht sepse në këtë vend duhet të ndihesh sikur të ka rënë “llotaria” dhe kur merr paratë që të takojnë me të drejtë. Nga biseda që kemi pasur bashkë e kuptoj se sa e vështire ka qenë për ju të zhbllokoni buxhetin dhe aq më tepër të paguani borxhet e dikujt tjetër. Mendoj që jeni duke bërë një punë të mirë në lidhje me drejtimin dhe menaxhimin e FSHV-së, gjithashtu dhe kontrata që keni marrë përsipër të nënshkruani me gjyqtarët është diçka pozitive dhe që e kemi kërkuar të dyja palët dikur në të shkuarën. Pikërisht këtu më lejoni të ndalem sepse si çdo kontrate midis 2 palëve duhet që të 2 palët që e nënshkruajnë atë të bien dakord. Unë personalisht nuk jam dakord me disa pika, por këtu ne këtë e-mail do të përmend vetëm njërën me të cilën kam pasur një eksperiencë të hidhur bashkë me 2 kolegë të tjerë, Altin Telo dhe Endri Zguri. Federata e atëhershme na dënoi padrejtësisht (fituam gjyqin në KAS më pas), pasi na dënoi jashtë juridiksionit të saj duke na hequr ndeshjet që na ishin caktuar nga Federata Evropiane jashtë territorit të Shqipërisë. Kemi dhe e-mailin e CEV ku na komunikohet se kishin zbatuar thjesht një kërkesë të FSHV për pezullimin e 3 gjyqtarëve dhe se në momentin që do të fitonim gjyqin, ose në momentin që do të përfundonte afati, ne do t’i ktheheshim gjykimit pa asnjë pasojë pasi dhe ata kishin mbetur të çuditur nga ky vendim i pakuptimtë dhe i pabazuar në rregulloren e FSHV-së, të cilën më pas e zbardhëm dhe ia dërguam Federatës Evropiane së bashku me vendimin e KAS. Duke pasur një eksperiencë të tille si mund të firmos unë diçka për të cilën në të shkuarën kam fituar një gjyq kundër FSHV. Si mund të dal nesër në fushë të gjykoj me drejtësi për të tjerët kur vetë firmos diçka të padrejtë në kurrizin tim. Ju lutem, zoti president shikojeni dhe njëherë kontratën, pasi ne jemi krahët e Federatës dhe jo “shkopinjtë ndër rrota” për ju. Na bëj të ndihemi të qetë kur arbitrojmë, jo të kërcënuar nga ajo që duhet të na mbrojë dhe jo të na mbaj me frike nën vete. Unë dhe të gjithë ata që mendoni se janë kundër jush do të përkrahim më shumë në rast se do aplikohet drejtësi në çdo gjë që ju bëni”, – ka përfunduar Mujo, kurse ngërçi Federatë-gjyqtarët duket se do të vazhdojë gjatë.