AlbanianSport.com 21.10.2016 11:35
ASNN – Volejbollistet e Dritës së Gjilanit, “kampione” të Kosovës kanë zhvilluar të martën ndeshjen e parë zyrtare në këtë edicion në Ligën e Kampioneve të Evropës. Në prani të afro 1,200 sportdashësve në Pallatin e Sporteve “Bashkim Selishta” në Gjilan, janë përballur me kampionen e Bullgarisë, Maritza të Plovdivit.
Janë bullgaret ato që kanë korrur një fitore me rezultat të pastër 3-0. Diferencat kanë qenë të dukshme mes të dy ekipeve duke parë dhe përfundimet e tre seteve (25-13, 25-11 dhe 25-15). Me një organizim të shkëlqyer dhe të mbushur me shikues, volejbollistet e Dritës së Gjilanit dhanë maksimumin në këtë përballje me ekipin bullgar, Maritza.
Por, falë të cilësisë dhe përvojës më të gjatë ndërkombëtare, bullgaret me lehtësi e fituan këtë takim. Ndonëse është pritur me entuziazëm, aktivizimi i dy lojtareve të huaja, Kapri Riçardson dhe Melisa Ortega Romano, nuk solli ndonjë freski në ekipin e Dritës.
Ndeshjen e kthimit, Drita do të ketë në fushën e ekipit bullgar, në Plovdiv, më 22 tetor 2016.