Gjergj Vyshka 20.12.2015 16:55
Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, dhe Sekretari i Përgjithshëm Albens Vokopola kanë pasur edhe një takim me presidentin e Federatës Evropiane të Volejbollit, Boriçiç, i cili ka marrë ftesën për një vizitë në Tiranë. Kjo ka ndodhur gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Ballkanike të Volejbollit, e cila të shtunën është zhvilluar në Selanik të Greqisë.
Dhe Shqipëria është përfaqësuar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, si dhe sekretari i përgjithshëm i institucionit më të lartë të rrjetës shqiptare, Albenc Vokopola. Ndërkohë gjatë kësaj asambleje janë bërë edhe zgjedhjet, ndërsa president është zgjedhur boshnjaku Milutin Popoviç, zëvendëspresident malazezi Cvetko Pajkoviç dhe sekretar i përgjithshëm turku Nilufer Bashak Shimonski.
Por ajo që ka qenë e rëndësishme për Pëllumbin dhe Vokopolën ka qenë takimi i ngrohtë me presidentin e Federatës Evropiane të Volejbollit, Boriçiç, i cili i është përgjigjur pozitivisht ftesës së dy zyrtarëve të lartë të rrjetës shqiptare për një vizitë në Tiranë. Por, në të njëjtën kohë, sipas informacionit që ka dhënë Pëllumbi, ka premtuar edhe mbështetje me projekte për volejbollin shqiptar.