Gjergj Vyshka 03.10.2016 09:00
Federata Shqiptare e Volejbollit, edhe pse një ditë më parë ka nisur Kampionatin e 71-të Kombëtar, dje në mjediset e Hotel “Doro City”-t ka zhvilluar një mbledhje me të gjithë gjyqtarët. Një mbledhje, e cila ka nxjerrë në pah jo vetëm inatet e vjetra, por dhe kërkesën për borxhet e prapambetura, si dhe humbjen e dokumentacionit që vërteton se ata kanë qenë në ato ndeshje të viteve të kaluara.
Debati më së shumti ka ardhur kur ka nisur të diskutojë Eduard Preka, që ka argumentuar se ka marrë 7 ndeshje në fazën e parë të sezonit të kaluar, kur të tjerët kanë marrë 17, vetëm e vetëm se ka një konflikt personal me kryetarin e Komisionit Tekniko-Gjykues, Konals Gjoka. “Unë kam mbi 30 vjet karrierë, – thotë Preka, – dhe si i tillë nuk mund të jem baraz me një gjyqtar të ri që sapo ka nisur.”
“Madje jo në pak raste na keni kërkuar relacion për një gjyqtar të ri që e kam pasur në gjykim, – ka vijuar ai. – Nuk është thjesht fjala për ndeshjet finale, por dhe në ndeshje më të rëndësishme. Më keni dënuar në heshtje për ndeshjen Tirana-Vllaznia, edhe pse në fakt nuk kam faj”. Por këtu Gjoka është shfajësuar duke thënë që nuk ka pasur dënim ndaj tij, ndërsa veprimet e tij janë quajtur të rregullta.
“Dhe një për një statistikë ti ke 15 ndeshje gjatë gjithë sezonit, 17 ndeshje Igli Fështi dhe 20 unë, – ka thënë ai. – Pra je ndër më të vlerësuarit”. Mirëpo ka plasur konflikti Sojati-Mujo, sepse ky i fundit i ka cilësuar servilë, ndërsa kohë më parë ndeshjet ndaheshin sipas dëshirës dhe interesit thjesht për një “paçe e pilaf”. Kështu, mbledhja e gjyqtarëve, që është përfunduar me koktej, ka pasur debate shumë të ashpra dhe inate të vjetra, sidomos ndasia që ekziston mes të vjetërve dhe të rinjve.