Gjergj Vyshka 06.09.2015 08:35
Presidenti Doçi ka shpjeguar se nuk do të kandidojë më në këtë post, ndërsa borxhi i pashlyer është kthyer në një debat të fortë, që duket se e ka vënë nën breshërinë e sulmeve jo vetëm anëtarët e kryesisë, por dhe financieren Loreta Metaj (Pirra). Volejbolli shqiptar ka konfirmuar dhe një herë tjetër kaosin në të cilin është zhytur, ndërsa ka hyrë në një rrugë pa krye. Sepse borxhet e akumuluara, për më tepër ndaj Hotel “Tirana International”, por dhe gjyqtarëve, apo dhe bllokimet e numrave të llogarisë bankare nga përmbarimi e ka futur në kaos total të gjithë familjen e volejbollit.
Dje është bërë një asamble e jashtëzankoshme, e cila ka pasur në rendin e ditë raportin e presidentit Doçi, raportin financiar nga kryellogaritarja Metaj (Pirra), marrjen e vendimit nga asambleja për auditivin e Federatës dhe për disa ndryshime në rregullore. Por më tepër se kaq duket sikur ka qenë një asamble së cilës kryesia aktuale e volejbollit, e përbërë nga Adrian Doçi, Erlind Pëllumbi, Dashamir Brari, Arenc Vokopola, Artan Pogoni, ka dashur t’ia lërë “topin” komunitetit për të vendosur për auditin, apo për atë rregull të lëvizjes së lojtarëve peticioni i të cilëve jo pak i ka trazuar gjërat.
Sepse, vetë kryesia në idenë e saj kishte ardhur në këtë asamble jo më votëbesim, por që gjenezë e kishte të shkruar në ballë “dorëheqjen” për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja më 4 tetor 2015. Ndoshta e kanë pritur dhe menduar sulmin e komunitetit, por kur dhe brenda kryesisë, gjë që është evidentuar nga delegatët e klubeve, ka pasur mendime të kundërta, atëherë do të thotë se gjërat kanë qenë më të mëdha se sa borxhi i akumuluar.
Fjalimi i presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Adrian Doçi, që ka evidentuar borxhet e rrjetës shqiptare ka qenë më tepër një raport që duhej bërë. Sepse nuk ka evidentuar asgjë, apo nuk ka dhënë asnjë arsye për të gjitha dorëheqjet e dy sekretarëve, ndërsa ka përshëndetur vetëm MAS për mbështetjen që po i jep, teksa tashmë ka kaluar një Ministrinë e Financës ideja e likuidimit të borxhit për gjyqtarët me anë të një shume.