AlbanianSport.com 21/01/2024 21:45
ASNN – Përballjet midis Kosovës dhe Serbisë janë bërë shpesh “mollë sherri”. Këtë herë volejbollistët nga Serbia kanë refuzuar të përballen me volejbollistët e Kosovës. Ndodhi kjo të dielën në Shtrumicë të Maqedonisë së Veriut, ku deri të dielën u zhvilluan eliminatoret e zonës ballkanike për Kampionatin Evropian të grupmoshës së Nën-18-vjeçarëve. Dy përfaqësueset e kësaj grupmoshe duhet të përballeshin për vendin e 5-të në këto Eliminatore. Por, ashtu siç pritej, serbët nuk u paraqitën për ndeshje në Sallën Sportive.
Federata Evropiane e Volejbollit menjëherë e regjistroi ndeshjen me rezultatin zyrtar, fitore 3-0 në sete, për Kosovën, e cila u rendit e 5-ta, dhe sipas Federatës së Volejbollit të Kosovës, ka vijuar më tej. Në Shtrumicë kanë garuar gjithsej 6 përfaqësuese të rajonit. Kosova u mposht 0-3 nga Greqia dhe 0-3 nga Maqedonia e Veriut për të mbetur e fundit në Grupin A. Në Grupin B, Rumania, Turqia dhe Serbia kishin nga një fitore e një humbje. Por Serbia mbeti e 3-ta në grup dhe duhej të përballej me Kosovën për të shmangur vendin e fundit në këto eliminatore.
Serbia e Nën-18-vjeçarëve luajti të shtunën ndeshje me Turqinë, ndërsa për ndeshjen e së dielës me Kosovën, serbët gjetën justifikimin. Sipas Federatës së Volejbollit të Kosovës, arsyetimi zyrtar i Federatës serbe ishte se “9 lojtarë të Serbisë kanë qenë me temperaturë, që ua ka bërë të pamundësuar daljen në parket”. Por në Federatën e Volejbollit të Kosovës dyshojnë se justifikimi i serbëve është i vërtetë, pasi të tilla justifikime ka patur edhe në një numër ndeshjesh në të shkuarën, në sportin e volejbollit, por edhe në sporte të ndryshme.