Gjergj Vyshka 10.08.2015 13:50
Denis Alikaj është volejbollisti më i ri i Koriljanos, skuadrës e Serisë B1, kategoria e tretë në Itali.
20-vjeçari, i cili luan si “shuter”, është rritur te ekipet zinxhir të Piaçencës, ndërsa sezonin e fundit ishte pjesë e Potencës.
“Kam shumë dëshirë të nis një aventurë të re”, – tha për mediat italiane Alikaj, i cili luan si shuter dhe është 2 metra i gjatë.
“Koriljanon e njoh mirë si ekip dhe ka tifozë të zjarrtë, – vijoi ai. – Seria B1 është një kampionat i vështirë.”
“Por unë dua të jam më të mirën time dhe të vijoj te tregoj cilësitë e mia”, – përfundoi Alikaj.
Denis Alikaj ka lindur në Itali nga prindër shqiptarë. Ai ka qenë pjesë edhe e përfaqësueseve të moshave në vendin fqinj.