Në stërvitje me kuqeblutë vazhdon të jetë Erkoçeviç dhe Jakova, kurse sot pritet të ketë zhvillime të reja në merkaton dimërore për kuqeblutë e Armando Cungut. Shqiptaro-maqedonasi, Eduard Zuta, është futbollisti i radhës që vjen për provë tek Vllaznia. 21 vjeçari shtatlartë, i cili ka luajtur në kampionatin suedez, është stërvitur në seancen e djeshme me kuqeblutë, teksa ka qenë nën urdhrat e trajnerit Cungu. Trajneri i Vllaznisë krahas ushtrimeve të tjera tekniko-taktike, në përbërje të grupit kuqeblu, i ka dhënë mundësinë të ekspozojë vlerat e tij në një lojë mbi 30 minuta organizuar në gjysmën e hapësirës së fushës së “Reshit Rusit”.
Sipas menaxherit të tij, që e shoqëronte në stadium, Arsim Lena, Zuta, i cili jeton në Suedi ku edhe ka lindur pas emigrimit të familjes së tij, është aktivizuar me sukses si mesfushor-sulmues në kampionatin suedez me ekipin Vasteras të Stokholmit. Përpos kësaj, ai bën të ditur se Eduard Zuta është vëllai i futbollistit Leonard Zuta, që luan së bashku me shkodranin Bekim Bala dhe Odise Roshin tek Rijeka duke qenë edhe lojtar i kombëtares së Maqedonisë. Sipas menaxherit Lena, me vlerat që mbart si futbollist, edhe klienti i tij, 21 vjeçari Eduard Zuta ka si synim të jetë shumë shpejt pjesë e Kombëtares, por jo të Maqedonisë, sepse preferon atë kuqezi të Shqipërisë.
Ndaj, për këtë arsye, ka zgjedhur të aktivizohet në kampionatin shqiptar për të qenë më pranë vëzhgimit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Dje ka qenë vetëm dita e parë stërvitore e tij me Vllazninë, ndërkohë që, sipas burimeve pranë stafit teknik, ai do të vazhdojë të jetë pjesë e stërvitjes edhe në ditët në vazhdim në pritje të vendimit të trajnerit Armando Cungu. Shqiptari i Maqedonisë, Eduard Zuta, ka qenë i vetmi “i huaj” në provë që është stërvitur me skuadrën kuqeblu. Ndërkohë sulmuesi Bekim Erkoçeviç, që vazhdon të jetë pjesë e kuqebluve prej disa ditëve dhe me sa duket do të vijojë të jetë i tillë deri në fund të sezonit.
Përveç tij, me skuadrën është stërvitur edhe mesfushori Franko Jakova, i vetmi që i ka rezistuar grupit prej shtatë futbollistësh që ishin në provë ditën e martë në miqësoren me Adën e Velipojës. Jakova, që luan si mesfushor, është prodhim i Akademisë Vllaznia, por që në seleksionimet e realizuara në Tiranë nga Akademia “Milan” u përzgjodh si një ndër futbollistët e perspektives duke u transferuar në ekipet italiane për dy vite me radhë, por pati edhe një përvojë në Gjermani. Nga sa bëhet e ditur, për arsye dokumentacioni, aktivizimi i tij në ekipet e elitës është shoqëruar me shumë pengesa. Ndaj edhe ka preferuar për momentin një rikthim në Shqipëri duke zgjedhur Vllazninë.