Dy kosovarët, Adnan Haxhaj dhe Berat Ahmeti, i kanë marrë tashmë vizat sllovene dhe të dielën do të jenë pranë skuadrës, ndërsa që nga fillimi i javës nuk kanë qenë në përgatitje me ekipin e drejtuar nga Zmijani. Vllaznia është në kampingun e Dravogradit të Sllovenisë, atje ku është duke zhvilluar periudhën përgatitore. Telenovela e tyre për të marrë vizat në ambasadën sllovene në Prishtinë ka zgjatur një javë, ndërsa tashmë kjo çështje është e mbyllur dhe kosovarët do të jenë në stërvitje me kuqeblutë.
Burimet zyrtare nga klubi kuqeblu bëjnë të ditur për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres” se normalisht procedurat për t’u pajisur me një vize “Shengen”, siç u kërkohej futbollistëve kosovarë në këtë rast, do të paktën dy javë. Ndaj për rastin në fjalë drejtuesit e klubit gjejnë rastin të falënderojnë personelin diplomatik të ambasadës së Sllovenisë në Prishtinë për kryerjen përpara kohe të kësaj procedure. Lajmi në fjalë ka entuziazmuar trajnerin Zmijani.
Për hir të së vërtetes mungesën e dyshes Haxhaj-Ahmeti për tërë këto ditë, ai e ka vuajtur jo pak në aspektin profesional. Burime zyrtare pranë klubit të futbollit Vllaznia bëjnë të ditur se dyshja kosovare është pajisur me vizë paraditen e së premtes, ndërkohë që bashkimi me skuadrën në Dravograd pritet të bëhet diten e diel. Kjo edhe sepse ka pasur ngarkesa në linjat ajrore për shkak të pikut turistik. Nga sa bëhet e ditur periudhën larg skuadrës kuqeblu futbollistët kosovarë e kanë shfrytëzuar duke u stërvitur pranë ish-skuadrës së tyre FK Prishtina.