AlbanianSport.com 07/03/2021 23:55
ASNN – Sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi, është i mendimit se skuadra shkodrane nuk kishte fatin me vete në sfidën ndaj Kukësit, që përfundoi në barazim pa gola. Kështu, Vllaznia barazoi me Kukësin në shtëpi, por zhvilloi një ndeshje të mirë dhe ishte shumë pranë fitores. Kuqeblutë janë optimistë për vazhdimësinë dhe sponsori Alban Xhaferi beson se mund të ta fitojnë titullin “kampion”. “Vllaznia ka ndryshuar në dy ndeshjet e fundit, ndoshta jo si në fillim kur ishim në maksimum”, – ka deklaruar ai, duke folur për mediat pas kësaj përballjeje.
“Sidoqoftë, është diçka normale, kampionati është i gjatë dhe ka lodhje, – ka vijuar biznesmeni i njohur. – Futbolli i njeh kriza të tillë të shkurtra dhe mendoj se e kemi kaluar tani. Mendoj që në këtë ndeshje nuk patëm fat, nuk ishte e shkruar që të fitonim. Patëm shumë raste për të shënuar. Humbja e 11-metërshit në vetvete ishte një dramë. Ky është futbolli. Ashtu siç kemi patur fatin të shënonim në momentin e fundit, tani nuk ishte momenti jonë. Mendoj se skuadra është rikthyer dhe do të ecë mirë ndeshjen e ardhshme. Lufta është e egër, nuk ka skuadra të dobëta.”
“Të ecim përpara dhe të luftojmë, – ka bërë thirrje Xhaferi. – Unë mendoj se gara do të shkojë deri në fund kështu, do të jetë luftë e egër. Jemi gati për të luftuar deri në fund. Nuk kemi frikë asnjë ekip, duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të vlerësojmë çdo kundërshtar. As Kupa e Shqipërisë (ku Vllaznia përballet në çerekfinale me Korabin), nuk duhet anashkaluar. Të ecim përpara, gjithmonë me atë objektivin për të mbajtur pozicionin aktual dhe pse jo për të arritur titullin kampion. Çunat janë shumë të motivuar, ne kemi bërë mbledhje të gjata.”
“Kemi bërë diskutime të brendshme. Ka pasur gabime gjithandej, duke përfshirë edhe veten. Ndikon euforia e tepër, por nuk mendoj se ka rrëshqitur situata. Çunat janë profesionistë. Ata janë të etur për të fituar, sepse fitorja e ekipit është fitorja e tyre, e të gjithëve. Ekipit i rritet vlera. Unë mendoj që Brdaric gëzon mbështetjen e plotë tonën, ai ka një projekt ambicioz për Vllazninë. Unë e kam mbështetur dhe do të vazhdoj ta mbështes. Sa i takon ankandit, jemi njoftuar nga bashkia që do të ketë një shtyrje”, – ka përfunduar Xhaferi.