Anton Zalli (Shkodër) 28.01.2015 20:15
ASNN – Erogen Vaso, Këshilltari i Bashkisë së Shkodrës ka reaguar në një prononcim të tij për televizionin lokal, “Star Plus”, për akuzat e ngritura dhe padinë që Kukësi ka vendosur të bëjë në drejtim të tij. Vaso, ka qenë tej mase i bindur në fjalët e tij, ndërsa pretendimeve të Kukësit u përgjigjet kështu: “Kukësi ka të drejtën e tij të bëjë çfarë të dojë dhe nuk dua të merrem aspak me Kukësin. Ky ekip ka objektivin e tij për të dalë “kampion” dhe dëshiron t’ia arrijë qëllimit me të gjitha format e mundshme të tijat dhe rrugën e di ai se si e arrin dhe kjo nuk më intereson.”
Përsa u përket akuzave që ai tashmë i ka bërë publike, Vaso vijon të jetë stoik në qëndrimin e tij, duke thënë dhe arsyen pse kërkon llogari tek drejtuesit e ekipit. “Qyteti i Shkodrës më ka votëbesuar që unë te jem këshilltar pranë Këshillit të Bashkisë së Shkodrës, – ka thënë Vaso. – Unë për këtë jam votuar dhe në të gjitha mbledhjet e zhvilluara unë kam ngritur gjithmonë zërin për një keqmenaxhim që i është bërë ekipit kuqeblu.” Më tej ai është ndalur dhe tek mënyra se si duhet të veprojë bordi i ri drejtues i ekipit të Vllaznisë.
“Unë me bordin e ri nuk kam asgjë, – ka theksuar Vaso. – Ky bord që ka marrë përsipër të menaxhojë këtë ekip të bëjë disa pastrime për ato njerëz që dyshohen për trukime. Të marrin për bazë prononcimet e mia dhe s’ka pse trembet bordi, pasi ato pastrojnë vendin dhe t’i kërkojnë prokurorisë të hetojë. Prokuroria duhet të hetojë, të pyeten edhe ish-administrator të klubit se besoj se ato kanë çfarë të thënë, prandaj mendoj se ato kanë çfarë të flasin për këto kater vite që kanë menaxhuar ekipin.”
I bindur në deklaratën e tij, Erogen Vaso ka dalë haptazi në akuza për trukim të ndeshjes Vllaznia-Kukësi, ndërsa vijon t’i qëndrojë këtyre fjalëve. Ndërkohë, drejtuesit e Vllaznisë nga ana e tjetër janë shprehur se i janë drejtuar Prokurorisë për hetime. Për tu theksuar është se Vaso, vijon të jetë i bindur në mbrojtje të fjalëve të tij, duke u shprehur i gatshëm për çdo përballjë dhe në studio televizive me drejtuesit aktualë të Vllaznisë.