ASNN – Duke qenë se Vllaznia-Tirana ishte ndeshja e fundit e fazës së dytë, si dhe ajo që mbyllë aktiviteti e vitit 2016, dhe aq më tepër që jemi në prag të festive tradicionale të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, sipas traditës së përvitshme, trajnerit të Vllaznisë, Armando Cungu, i kërkohet të shprehë edhe dëshirat e tij. “Dëshirat? – është përgjigjur ai. – Nuk është koha për të shkruar letra dhe dëshira si babagjyshi.”
“Dëshira e ime në radhë të parë t’ju uroj gjithë juve medieve Krishtlindje të mbara dhe një vit sa më të gëzuar, sa më me harmoni në familjet tuaja, – ka vijuar trajneri kuqeblu. – Njëkohësisht tifozerisë shkodrane dhe gjithë qytetit të Shkodrës, për festat e fundvitit, që t’i presim me shumë dashuri në radhë të parë, “shëndet e jetë”, siç i themi ne shkodranët.”
“Por edhe “shëndet e pare”, kështu që urimet më të mira për familjet shkodrane”, përfundon trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, duke bërë të ditur se në programin e tij ka për ta mbajtur skuadrën sa më afër dhe nën vëzhgim. Për këtë, pas pushimit të së premtes, si një ditë pas ndeshjes, ai ka kërkuar që futbollistët e tij të jenë sot në stërvitje në fushën e “Reshit Rusit” dhe më pas do të lihen të lirë.