AlbanianSport.com 26/02/2024 22:35
ASNN – “Skuadra është pjekur, por duhet vazhdimësi.” Trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, flet pas fitores ndaj Dinamos. Një fitore të vështirë, por të merituar e ka cilësuar të hënën trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, triumfin minimal në Durrës ndaj të kaltërve të homologut Mehmeti. “Për pozitën ku ishim kur mora ekipin, ishte pak e rëndë, e vështirë dhe sigurisht përgatiteshim nga ndeshja në ndeshje që të merrnim maksimumin”, – ka thënë ai fillimisht.
Vllaznia është ngjitur në vendin e dytë në Superiore me fitoren e sotme ndaj Dinamos dhe trajneri Qatip Osmani mendon se kjo është pasojë e rritjes graduale të skuadrës që kur e ka marrë ai në drejtim. “Objektivi është i qartë, që të jemi në 4 vendet e para, – ka theksuar ai. – Sa i përket lojës së sotme, edhe pse fillimi nuk ishte i mirë me kalimin e kohës u stabilizuam dhe shënuam golin që e ruajtëm deri në fund. Patëm disa raste, edhe Dinamo, por jam i kënaqur me fitoren.”
“Tërheqja ndoshta ishte e natyrshme, më mirë të jetë tërheqje e natyrshme, – ka pohuar veterani. – Në ato momente kur ke rezultat pozitiv, i frikësohesh një gabimi dhe vetvetiu skuadra tërhiqet në 20 metrat e zonës së vet.” Trajneri i kuqebluve, theksoi sot pas ndeshjes së skuadra po bënte mirë, por duhej të vazhdonte të qëndronte me këmbë në tokë. “Edhe pse me fitoren e sotme jemi një hap para, ende nuk kemi siguruar “4-shen Finale”, – tha ai.
“Por megjithatë, ekipi nga loja në lojë tregon stabilitet, tregon një karakter që sigurisht që në ndeshjet që na presin do na ndihmojë dhe do të jetë shumë pozitive për ne. Mendoj se ende nuk ka vend për eufori se ka ende shumë ndeshje. E vërtetë që jemi në vend të dytë, por ka ende shumë ndeshje. Në futboll ndodh gjithçka, ndaj duhet të jemi të qetë e vazhdojmë me këtë ritëm”, – ka përfunduar trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, duke folur pas fitores ndaj Dinamos.