AlbanianSport.com 23/09/2019 15:25
ASNN – Barazimi me Luftëtarin e ka kënaqur disi trajnerin e Vllaznisë, Mirsad Jonuz. Kjo për faktin se u shënua gol. Por në përfundim të saj, drejtuesi maqedonas i kuqebluve ka vënë theksin edhe njëherë te problemi që po vuan skuadra e tij, sulmi, mungesa e sulmuesve. “Më vjen mirë që shënuam, por vazhdon të theksoj se problem mbeten sulmuesit”, – ka thënë ai.
“Ky nuk është problem i tanishëm, por i mbartur, – ka vijuar kreu i stolit të skuadrës shkodrane. – Megjithatë ne do të punojmë shumë për të gjetur zgjidhjen për këtë defekt të skuadrës sonë. Përpara kemi ndeshjen me Skënderbeun, një tjetër përballje e vështirë për ne, por dua 3 pikët.” Përsa i përket objektivave, trajneri Jonuz shprehet se pas dhjetorit do të vendoset, ndërsa vë theksin te mungesa e tifozëve.
“Kam folur me drejtuesit e klubit, e për objektivat do të vendosim pas muajit dhjetor, – ka zbuluar ai. – Por dua të theksoj diçka, mungesën e tifozëve. Kërkoj edhe ndihmën e klubit që t’i ndërgjegjësojë ata, që të mos kryejnë më veprime të dënueshme sepse nuk mund të luajmë mirë në një stadium të boshatisur”, – ka përfunduar trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz.