ASNN – Trajneri i kuqebluve ka pasur shumë kritika për mbrojtjen, megjithëse është optimist se rezultatet do të vijnë që në ndeshjen e ardhshme në Shkodër ndaj Partizanit. Ashtu siç ishte planifikuar, pas një dite pushim siç ishte ajo e së hënës, kuqeblutë e Vllaznisë i janë rikthyer procesit stërvitor. Një seancë që në fakt ka nisur me analizën e humbjes ndaj Kukësit, gjë që ka ndodhur në ndeshjen e luajtur të dielën në Stadiumin “Zeqir Ymeri”. Vetë humbja e pësuar në fushë të huaj dhe, për më tepër problemet e shfaqura në lojën e skuadrës, kanë bërë që kjo analizë të mos kalojë pa tonet kritike të stafit teknik.
Në fakt, përpara se të mbërrinte tek skuadra, trajneri Cungu ka zhvilluar një analizë tjetër të parë, ku nën shoqërinë e administratorit Gjyrezi dhe drejtorit sportive Zeka ka diskutuar gjatë në lidhje me atë që skuadra paraqiti në përballjen e javës së fundit me Kukësin. Në klubin e futbollit Vllaznia të thonë se një praktikë e tillë aplikohet shpesh, ndërsa dy drejtuesit kryesor të klubit janë gjithnjë pranë trajnerit të parë në analizën e paraqitjes së skuadrës. Kështu ka ndodhur edhe këtë herë dhe, më pas, nga mjediset e godinës së Bashkisë së Shkodrës, ku është realizuar takimi, destinacioni i Cungut ka qenë drejtpërdrejt në Fushën Sportive “Reshit Rusi”.
Aty ku tashmë me prezencën e të gjithë skuadrës ka zhvilluar analizën e zgjeruar të ndeshjes në fjalë. Ndonëse nuk bëhen të ditura shumë detaje të shumta, pasi analiza është bërë me dyer të mbyllura, burime pranë klubit kuqeblu citojnë se fokusi kryesor i diskutimeve kanë qenë momentet e pësimit të golave në portën e Vllaznisë, të cilat kanë ardhur nga dobësitë e shfaqura në repartin e prapavijës dhe sidomos në qendër të këtij reparti. Nuk është lënë mënjanë edhe vetë portieri Agoviç, i cili, edhe pse në një rast ishte shpëtimtar në pritjen e një penalltie, ka gabuar në raste të tjerë që Vllaznia u ndëshkua me gol.
Por krahas kritikave për prapavijën ka pasur vend edhe për të vënë në dukje edhe lojën aktive që skuadra zhvilloi në qarkullimin e topit, përfshirë edhe atë sulmuese. Përpos një goli të kapitenit Ndriçim Shtubina, skuadra kuqeblu pati edhe mundësi të tjera për të shënuar. Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin se skuadra i ka mundësitë të prodhojë dhe më shumë. Dhe me pak kujdes, sidomos duke riparuar disa defekte që po konstatohen rëndom në pësimin e golave krejtësisht të evitueshëm, mundësitë janë për marrjen e rezultateve pozitive. Madje edhe kur luhet përballë skuadrave të kreut të renditjes.