AlbanianSport.com 13/02/2021 19:25
ASNN – Trajneri gjerman i Vllaznisë pohon ecurinë e dobët, kërkon reflektim ndaj fierakëve. Vllaznia përballet të shtunën me Apoloninë, duke synuar të mbetet e shkëputur në krye të renditjes dhe, përtej mungesave, trajneri Tomas Brdariç, kërkon maksimumin. “Mendoj duhet të respektojmë në maksimum çdo kundërshtar, – ka thënë ai. – Nuk ka rëndësi nëse është Apolonia apo ndonjë ekip. Përgatitemi me të njëjtën mënyrë. Nesër është një ndeshje, janë 3 pikë.”
“Është synimi jonë dhe duhet të shkojmë përpara, – ka vijuar gjermani. – Në këtë javë, jemi të përqëndruar më shumë te kjo ndeshje. Kemi dy mungesa të rëndësishme, por kemi alternativa dhe mundësi. Kemi punuar këtë javë. Secili e di për planin e ndeshjes. Duhet të lejojmë futbollistët të shprehin veten në fushë dhe të zbatojnë porositë.” Për shkodranët, përballja me fierakët paraqet mundësinë për t’u rikthyer tek fitorja, pas dy barazimesh dhe një humbjeje.
“Nuk dua të justifikoj situatën, – ka pohuar Brdariçi. – E shpjegova javën e kaluar. Nuk dua të bëj justifikime. Jemi realistë. E dimë që në javët e fundit nuk kemi patur rezultatet që njerëzit prisnin. Nuk mund të ndryshojmë fushat dhe gjyqtarët. Ajo që duhet të ndryshojmë është loja jonë dhe të shfrytëzojmë mundësitë. Të gjithë presin që ne të thyhemi. E kemi treguar në të kaluarën se kur thyhemi, por pastaj kemi treguar që ne të shkojmë përpara.”
“Nuk ka rëndësi nëse bie shi apo borë. Kemi punuar shumë mirë. Asgjë se ndalon Vllazninë”, – ka përfunduar trajneri gjerman i Vllaznisë, Tomas Brdariç. Takimi Vllaznia-Apolonia luhet të shtunën në Stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 14:00.