AlbanianSport.com 18/09/2021 21:40
ASNN – Me një lojtar më shumë për një pjesë loje e në epërsi të një goli, ambicja e Vllaznisë për hakmarrje fashitet 17 minuta para fundit në golin e Kuembembës, që mbajti të pathyer Teutën në Stadiumin “Loro Boriçi”, duke dhënë një tjetër demonstrim force në shtëpinë e rivalit direkt, me një Sistem të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) protagonist në 3 episode vendimtare në takimin tjetër të së shtunës në javën e dytë të Kategorisë Superiore. Pas disfatës në Superkupë, sigurisht që shkodranët kishin ide tjetër për mënyrën si të përballeshin me Teutën e Martinit, të shtyrë edhe nga publiku i “Loro Boriçit”.
Në minutën e 35-të, kur Adili e tepron me besimin në vetve, duke i dhënë Kallakut mundësinë t’ia merrte topin e të shërbente për Plakun, që tronditi shtyllën, por humbi rastin më të mirë për të tijtë. Përgjigja e Vllaznisë erdhi në fundin e pjesës së parë, por edhe Aralica, pasi vallëzoi mes mbrojtësve të Teutës, nuk e dërgoi dot topin në rrjetë. Gjërat megjithatë u bënë keq për Martinin, me ndërhyrjen e parë të VAR, që korigjoi kartonin e verdhë të akorduar fillimisht nga gjyqtari Bajramaj, në një të kuq për Todorovskin, për një ndërhyrje të ashpër në shtesën e të parës.
Me një lojtar më shumë në fushë, Vllaznia u duk se mori krahë me rifillimin e lojës, kur në minutën e 49-të, sinjalizoi 11-metërsh për pengimin në zonë nga Aleksi të kroatit Aralica. Por këtë herë VAR ishte kundër shkodranëve dhe korrigjon edhe njëherë Bajramajn, duke akorduar pozicion jashtë lojë të Latifit. Shpëtoi Teuta, por jo për shumë kohë, sepse në minutën e 58-të, Viktor Da Silva mposhti me kokë Qirkon, falë harkimit të Latifit.
Në disavantazh e me një lojtar më pak, Martinit i drejtohet stolit dhe nxjerr Plakun, Xheksonin dhe Kallakun, për Grudën, Kotobellin dhe Beqjen. Vllaznia ndoshta mendoi se fitoi para kohe, e në të 73-tën Kuembemba i ndëshkoi me një gol të pazakontë me kokë, në një pozicion të vështirë. Presioni i fundit kishte vetëm një gol tjetër për shkodranët, të anuluar mes polemikave nga “VAR”-i e në fund nga një pikë për dy skuadrat pretendente, edhe pse më tepër i vlen Martinit e Teutës që ngjiten në 4 pikë, aq sa edhe kuqeblutë e Brdariçut, por që barazimin e morën në shtëpi.