ASNN – Pas pushimit të së hënës, që ishte edhe një ditë pas sfidës me korçarët për çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia i është rikthyer stërvitjes mesditën e së martës. Ndërkohë që një Shkodër e tërë e ka mendjen tek sfida e së shtunës, ku sërishmi në “Reshit Rusi” përballë kuqebluve do të jetë kampionia Skenderbeu, por tashmë për kampionat, drejtuesit e Vllaznisë vazhdojnë të jenë të përqëndruar tek merkato. Ditët po kalojnë, pasi në fund të kësaj jave, me datë 31 janar, përfundon edhe afati i mbylljes së transferimeve.
Prandaj po punohet me të gjitha forcat për të bërë të mundur që përpos Vrapit, që është e para dhe e vetmja blerje në këtë fazë dimërore, në skuadër të mbërrijnë edhe futbollistë të tjerë cilësorë për të cilët ka nevojë skuadra. Për këtë qëllim, meqë mbrëmjen e së hënës, por edhe mëngjesin e së martës kanë mbërritur në Shkodër një kontingjent futbollistësh të huaj, me kërkesën e trajnerit Armando Cungu është organizuar në Fushën Sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës një takim miqësor, Vllaznia-Ada e Velipojës.
Një miqësore kjo e drejtuar nga një treshe shkodrane me kryesor ish-futbollistin e Vllaznisë dhe së fundmi edhe të Burrelit, Arlind Pirani. Përpos rezultati, që në fund ishte në favor të Vllaznisë, 4-1, e rëndësishme ishte vëzhgimi nga afër i futbollistëve të huaj të ardhur për provë tek Vllaznia. Sa për statistikë, autorë të golave për Vllazninë ishin Çinari me një dygolësh, duke rikonfirmuar formën e mirë sportive që po kalon, si dhe dy golat e tjerë kanë për autor sulmuesit e ardhur për provë, kosovari Neziri dhe ukrainasi Ordinski. Ndërsa për skuadrën velipojake Ada, të drejtuar nga trajneri Ilir Dibra, golin e vetem e shënoi Hyseni.