Problematika që ofroi ndeshja me Tiranën, kur në fushë munguan lojtarë me peshë të formacionit, duket se për ndeshjen e radhës me Bylisin do të ketë një farë zbutje në drejtim të përmirësimit të një pjese të mirë të tyre. Një gjë e tillë të paktën është para që dje kur në seancën stërvitore, e cila ishte edhe e para anti-Bylis, grupi i parë i skuadrës, ku trajneri Armando Cungu mbështetet kryesisht në punën me 18-shen bazë nga fikson edhe formacionin e parë, ka qenë më i madh së sa herët e tjera.
Pozitive për stafin është rikthimi i mbrojtësit të krahut të djathtë Polizoi Arbri, po ashtu edhe i mesfushorit Tafili së bashku mbrojtësin Hakaj. Sulmuesi Çinari, si rezultat i disa përplasjeve të ashpra që pati në përballjen me lojtarët kryeqytetas të dielën e kaluar, dje nuk ka qenë në gjendje të stërvitet me grupin e parë. Atij i është rekomanduar kryerja e vrapimeve rreth fushës. Për sulmuesin, Arenc Dibra, stërvitja, të paktën për ditën e djeshme, ka qenë krejt e pamundur.
Shtatlarti kuqeblu, edhe pse kaloi një javë aspak të qetë për sa i përket një dëmtimit në gishtin e madh të këmbës, sakrifikoi të ishte në fushë ndaj Tiranës që nga minuta e parë. Por nuk mundi të vazhdojë më tepër se sa 15 minuta, sepse një tjetër dëmtim, gjatë një dyluftimi në zonën bardheblu, e detyroi trajneri Cungu ta zëvendësonte. Kësisoj Dibra dje e ka bërë sërishmi pushim absolut, ndërsa i është rekomanduar nga stafi mjekësor që të vijojë terapinë me specialistin përkatës.
Ndërkohë që për të do të ketë sot, përpara nisjes së seancës të së mërkurës, një tjetër konsultë me stafin mjekësor për të vendosur nëse do të jetë i mundur apo jo për t’i shërbyer skuadrës në këtë ndeshje.