Ashtu siç ishte e planifikuar në programin e kuqebluve, Vllaznia nisi të martë përgatitjet për ndeshjen e radhës, e cila do të luhet të shtunën në fushë të huaj, në ora 17:30 në Stadiumin “Selman Stërmasi” ndaj Tiranës vendëse. Një ndeshje e cila, për vetë rrokullisjen e situatave të javës së kaluar nga skuadrat e katit të poshtëm të tabelës së klasifikimit, është vënë në qendër të vëmendjes dhe diskutimeve të të gjithëve.
Futbollistë, trajnerë, drejtues të klubit, por edhe vetë mjedisi sportiv shkodranë është duke menduar vetëm për këtë ndeshje, ndërsa në përfundim të saj kërkohet vetëm një pikë. E ky është objektiv minimal. Sepse ajo vlen për qetësinë e të qëndruarit në Kategorinë Superiore, pa dashur të vihet në diskutim fare ballafaqimi i fundit me Bylisin në Fushën Sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës.
Është kjo arsyeja që seanca e djeshme është përshkuar nga një seriozitet tejet maksimal, ku të dyja palët, futbollist dhe trajnerë, kanë qenë në sinkron të ndërgjegjës për të bërë më të mirën në fushën stërvitore. Pasi vetëm kështu skuadra mund të prezantohet ditën e shtunë në fushën e lojës sa më bindëse për të marrë rezultatin e duhur.
Pozitive në aspektin e infermierisë ka qenë që nga katër titullarë, që ishin projektuar për t’u lënë pushim nga ana e stafit mjekësor, vetëm kapiteni Shtubina është parë të qëndrojë jashtë skuadrës. Ai e ka ndjekur seancën nga pista. Ndërkohë që dyshja e repartit të mbrojtjes, Marku-Pjeshka dhe mesfushori Çinari, të paktën dje, kanë sakrifikuar për të qenë pjesë e grupit. E kjo me shpresë se të tillë do të vijojnë të jenë edhe në vazhdim.