ASNN – Trajneri Armando Cungu tashmë ka bërë një program për ndeshje miqësore, por nuk e di ende nëse do të vijojnë përgatitjet në Shkodër, apo do të shkohet gjetiu. Financat pengesë për gjithçka. Vllaznia e kishte planifikuar që, më 3 janar 2017, të zbriste në fushën e stërvitjes, por në fakt në kampin kuqeblu të gjitha përgatitjet kanë nisur vetëm dje.
Me përjashtim të dy largimeve me mirëkuptim të fundvitit të kaluar, kosovarit Ylli Hoxha dhe kroatit Ivos Vaitcer, i gjithë kontingjenti që ka mbyllur vitin 2016 ka qenë i rreshtuar përpara trajnerit Cungu. Dhe seanca e parë stërvitore është zhvilluar dje në mesditë në tapetin e blertë të Fushës Sportive “Reshit Rusi” në Shkodër, teksa kështu ka nisur dhe përgatitja e parë e vitit 2017.
Janë stërvitje të cilat konsistojnë në përgatitjen e plotë të skuadrës për pjesën e dytë të sezonit 2016-2017. Deri në fund të majit janë për t’u luajtur dy faza të plota të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e 3-ta dhe e 4-ta, si dhe turi çerekfinal i Kupës së Shqipërisë. Pasi ka dhënë udhëzimet e duhura, skuadra ka nisur përgatitjet, ndërsa në një cep të fushës Cungu ka dhënë dhe prononcimin e parë mediatik për vitin 2017.