AlbanianSport.com 07.08.2015 18:05
ASNN – Ndoshta është një nga gjërat më të rralla që në sport të bëhet edhe merkato presidentësh, por në media, ditët e fundit është lakuar emri i Safet Gjicit, president i Kukësit, për të financuar ekipin e Vllaznisë. Biznesmeni madje është shprehur se do të vlerësonte kërkesën, nëse do t’i vinte nga Bashkia e Shkodrës. Por vetë qytetarët shkodranë shprehen kundër kësaj lloj merkatoje.
Burime në klubin shkodran dhe Bashkinë e këtij qyteti, bëjnë të ditur se asgjë deri tani nuk është zyrtare dhe se tymnaja mbetet vetëm në rrafshin mediatik. Klubi “Vllaznia” është një prej ekipeve shqiptare të futbollit që administrohet nga Bashkia e qytetit. Sezoni i ri po afron dhe ende nuk ka ende asnjë kërkesë zyrtare pranë zyrave të Bashkisë Shkodër, nga biznesmenë apo investitorë të ndryshëm që të kërkojnë të investojnë në klub.
Ditët e fundit është lakuar emri i presidentit aktual të Kukësit, Safet Gjicit, si një alternativë e mundshme, por as ky i fundit nuk ka bërë një kërkesë zyrtare në Bashki për drejtimin e ekipit. Në lidhje me këtë situatë ka reaguar kryebashkiakja Voltana Ademi. Ajo ka pranuar problemet e ekipit në administrim dhe financim, duke thënë se Bashkia është e hapur për investitorë.
“Në respekt të diskutimi mediatik për Vllazninë mund të them që si Bashki e Shkodrës shpallim qëndrimin tonë dhe jemi të hapur për investitorë, – ka thënë Ademi. – Klubi i futbollit ka trashëguar probleme jo vetëm në menaxhim e financim, por dhe teknik. Janë probleme të akumuluara, ndërsa Vllaznia është një sfidë e vështirë për të gjithë. Përmes diskutimit të hapur ne shpresojmë që kjo çështje të marrë zgjidhje sa më shpejt.”