AlbanianSport.com 31/03/2019 21:50
ASNN – Kuqeblutë i urojnë “mirëseardhjen” trajnerit të tyre të ri me një fitore 4-0 ndaj Besëlidhjes. Është mbyllur të dielën java e 21-të e Kategorisë së Parë dhe Vllaznia ka mposhtur të dielën Besëlidhjen me rezultatin 4-0. Shkodranët janë tanimë të shkëputur plot 14 pikë në krye të renditjes së grupit B dhe duke qenë vetëm një hap larg sigurisë matematikore për kthimit në Kategorinë Superiore.
Vllaznia ka mposhtur të dielën thellë, 4-0, Besëlidhjen, duke u shkëputur tanimë plot 14 pikë në krye të renditjes së grupit B dhe duke qenë kështu vetëm një hap larg sigurisë matematikore për kthimin në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit sezonin e ardhshëm.
Në fakt, pjesa e parë e ndeshjes së sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar është mbyllur me rrjeta të paprekura dhe gjithçka do të vendoset në pjesën e dytë. Braziliani Zhunjor do të harrë vazhdën e golave për Vllazninë, me një veprim të bukur individual në minutën e 53-të.
Goli e ka shtangur skuadrën lezhjane dhe Vllaznia përfiton më së miri dhe, 10 minuta më pas, është një tjetër lojtar i huaj i shkodranëve, rumuni Dan Ignat, që me një goditje të saktë me kokë pas një këndoreje, gjen në mënyrën më të pazakontë rrugën e rrjetës.
Në 10 minutat e fundit Vllaznia do të gjejë edhe dy gola të tjerë, fillimisht me anë të Krujës, që përfiton nga pasimi i Hajdarit. Në minutën e 87-të, është vetë Hajdari që përfiton nga pasimi i Zhunjorit dhe realizon golin e 4-t. Vllaznia fiton kështu 4-0 dhe i dhuron trajnerit të ri, Agim Canaj, nisje të mbarë të aventurës së tij me klubin kuqeblu.