Duke parë rëndësinë e ndeshjes së fundjavës, klubi i futbollit “Vllaznia” ka vendosur që skuadrën ta grumbullojë që sot. Lajmi bëhet i ditur nga administratori i klubit “Vllaznia”, Astrit Gjyrezi, grumbullim i cili sipas tyre pritet të japë efektin e duhur në drejtim të një konsolidimi më tepër të skuadrës, jo vetëm për nga ana e trajtimit ushqimor dhe regjimit, por edhe mundësisë që i jepet grupit për të qëndruar më shumë së bashku.
Sipas tij, kjo gjë mund të shfrytëzohet nga stafi teknik edhe për ndonjë analizë teknike, apo edhe seancë psikologjike në prag të kësaj ndeshje shumë të rëndësishme. Përpos kësaj, po nga administratori Gjyrezi, mësohet se për një nxitje dhe motivim më tepër drejt arritjes së një rezultati pozitiv, skuadrës do t’i vihet si zakonisht një shpërblim financiar për ta motivuar edhe më tepër.