Katër ditë pushim kanë pasur në dispozicion futbollistët kuqeblu për të cilët, që pas ndeshjes me ballshiotët të mërkurën e kaluar në Shkodër, rikthimi i tyre në stërvitje do të jetë sot me seancën që pritet të zhvillohet në orët e pasdites në stadiumin “Reshit Rusi”.
Nga sa bëhet e ditur programi në vazhdim është planifikuar të jetë me seanca një herë në dy ditë të karakterit kryesisht shkrythës pas asaj ngarkese mjaft të madhe të madhe gjatë një sezoni shumë të ngarkuar, me katër faza kampionat përfshirë edhe angazhimet në Kupën e Shqipërisë.
Një rikthim i tillë në stërvitje, në një farë mënyre, ka të bëjë edhe me zbatimim e kontratës që futbollistët kanë me klubin kuqeblu, afati i të cilës përfundon në fund të muajit maj. Një përmbushje e tillë e korrektesës së kontratës nga ana e futbollistëve ka të bëjë edhe me faktin se me mbylljen e muajit në numrin e llogarive të tyre personale bankare pritet të kalojnë edhe rrogat e fundit të akorduara nga ana e klubit Vllaznia.
Ndërkohë që për pjesën e mëparshme të sezonit korrektesa nga ana e klubit kuqeblu ka qenë maksimale në këtë drejtim. Që do të thotë se futbollistët dhe pjesëtarët e stafit janë likuiduar një për një për gjithçka që ka qenë e shkruar në pikat e kontratës pa asnjë dënim përkatës që në fakt në një moment të caktuar të humbjes ndaj durrsakëve u pat paralajmëruar një gjë e tillë.