Ish-sulmuesi i Bylisit, Brunild Pepa, do të jetë për dy vite pjesë e projektit kuqeblu; drejtuesit paralajmërojnë se merkato do të vazhdojë edhe me emra futbollistësh të tjerë nga brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, nga ana tjetër drejtuesit e Vllaznisë thuhet se janë në kërkim edhe për një tjetër sulmues të mirëfilltë, piketimi i të cilit thuhet se është bërë në shtetin fqinjë të Malit të Zi.
Përpos sulmuesit, shkodranët janë në kërkim dhe thuajse kanë arritur akordin edhe me një mesfushor nga Gana, që luan në kampionatin malazez, si dhe në të njëjtën kohë edhe me një portier, edhe ai nga kampionati i shtetit fqinjë. Zyrtarizime këto që, siç bëhet e ditur nga burime brenda klubit Vllaznia, pritet të realizohen nga fillimi i javës tjetër.
Nga ana tjetër, ndonëse në opinionin sportive shkodran, apo edhe në burime të ndryshme mediatike, është folur edhe një mundësi që mbrojtësi shtatlartë Ditmar Bicaj, ish futbollist i disa skuadrave të Superligës, së fundmi i Partizanit, mund të bëhej pjesë e Vllaznisë. Burime pranë klubit kuqeblu, apo edhe vetë lojtari në fjalë nuk e konfirmojnë një gjë të tillë.